VIDEO-SYRI TV/ Apeli rrëzon kërkesën e Arben Ahmetaj, për heqjen e sekuestrove të vilave
Për herë të dytë por për një kërkesë tjetër, Apeli i Posaçëm rrëzon ish-zv/kryeministrin Arben Ahmetaj. Togat e zeza vendosën që dy vilat në posedim të tij apo lidhjeve të afërta familjarë, të qëndrojnë në sekuestro. Ato ndodhen në AHmallaj të Durrësit dhe në ‘Green Coast’ në Palasë, të cilat prej disa javësh janë sekuestruar nga SPAK me dyshimet se janë krijuar nga burime të paligjshme financiare.
Nga SYRI TV
Gjykata e Posaçme e Apelit, ka refuzuar që të lirojë nga masa e sekuestros preventive një vilë në Hamallaj e një në Palasë, të cilat janë bllokuar për llogari të hetimit ndaj ish-zv/kryeministrit Arben Ahmetaj. Gjyqtari Dhimitër Lara, e konsideroi të ligjshëm dhe të bazuar në prova vendimin e Shkallës së Parë për sekuestron, duke e lënë në fuqi atë.
Pas dyshimeve për ‘fshehje të pasurisë’, me kërkesë të SPAK, GJKKO vendosi nën sekuestro dy vila në bregdet, një në Palasë dhe një në Hamallaj. Vila e Palasës është pjesë e një kompleksi rezidencial dhe dyshohet se zotërohet nga ish-bashkëshortja e ish-ministrit të Financave, Albina Mençka, por e poseduar me emrin e shoqes së kësaj të fundit Elda Dine.
Vetë ish-bashkëshortja e zyrtarit të lartë ka mohuar të ketë lidhje me këtë objekt. Ndërsa vila në Hamallaj i përket Arjola Hoxhës, bashkëjetueses aktuale të ish-zv.kryeministrit, Ahmetaj. Ambientet e të njëjtës vilë iu nënshtruan një kontrolli nga agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit në 8 mars, kontrolle të cilat u konsideruan të paligjshme dhe antikushtetuese nga Ahmetaj, por që e njëjta gjykatë, me të njëjtën trupë gjykuese, refuzoi shqyrtimin e ankimit.
SPAK ka dyshime se dy godinat janë krijuar në burime financiare të jashtëligjshme dhe masa e sekuestros është marrë për të mos lejuar tjetërsimin e pronave.
Arben Ahmetaj po hetohet nga SPAK për veprat penale mos deklarim apo fshehje dhe deklarim i rremë i pasurive, korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë, pastrimi i parave dhe shpërdorimi i detyrës. Kjo e fundit lidhet me hetimet në rastin e inceneratorëve dhe përbën procedimin e parë penal të regjistruar ndaj tij.