VIDEO-SYRI TV/ Dhuna për vota në Patos, reagon Berisha: Rama përdor shtetin si makineri dhune
Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka dënuar aktin e dhunës së Drejtorit të Bashkisë Patos ndaj punonjësit që refuzoi ti bindej urdhrit për t’i sjellë listë me emra të personave që ai sillte për të votuar PS-së. Berisha akuzoi Ramën, se po përdor aparatin shtetëror si makineri dhune për vota, por përgjigjen do e marri nga qytetarët më 14 maj. Lideri i opozitës komentoi edhe gjestin e Belind Këlliçit kundër korrupsionit, duke theksuar se kundër korrupsionit e të korruptuarve, aq është pak.
Nga SYRI TV
Pas dhunës së ushtruar nga drejtori i bashkisë së Patosit, Petrit Pëllumbi ndaj punonjësit Bato Dalipaj, pasi ky i fundit refuzoi të mblidhte vota për Partinë Socialiste, ka reaguar kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha.
Lideri i opozitës dënoi ngjarjen dhe akuzoi kreun e qeverisë Edi Rama se po përdor institucionet shtetërore si makineri dhune.
Në kuadër të fushatës, Berisha kishte një thirrje për mediat, që të refuzojnë kandidatët socialist për sa kohë ata refuzojnë debatin me rivalët për shkak të mungesës së programit.
Berisha komentoi edhe posterin e kandidatit të opozitës për Tiranë Belind Këlliçi kundër korrupsionit, ku u shpreh se ata që abuzojnë me taksat duhen ndëshkuar.
Sali Berisha dënoi edhe ndërhyrjen e George Soros në fushatën elektorale në Shqipëri për interes të Erion Veliajt, që sipas tij vjen pas rezultateve të ulëta që Veliaj shënon në sondazhet reale të zhvilluara në ditët e fundit.