Vrasja e Ardian Nikulajt/ Në kërkim 5 persona, zbardhen detajet: U zbuluan pas gjetjes së disa rrobave

Zbulohen detaje të reja në lidhje me vrasjen e biznesmenit Ardian Nikulaj në Shëngjin të Lezhës, ngjarje kjo e ndodhur një javë më parë. 

Burime bëjnë me dije se Policia ka shpallur në kërkim 5 persona të cilësuar si pjesëtarë të një grupi të strukturuar kriminal për vrasjen e Nikulajt.

Sipas informacioneve është rënë në gjurmët e të dyshuarve pas gjetjes së disa rrobave që besohet se janë përdorur nga autori i ngjarjes, ndërsa mësohet se po ashtu pjesë e grupit kriminal janë edhe shtetas të huaj.

Sakaq, bëhet me dije se policia ka gjetur një vajzë që ka blerë motorin që është përdorur në ngjarje dhe më pas ka identifikuar personin të cilit ia ka dhënë.

Autoritetet besojnë se ngjarja ka ndodhur për shkak të gjakmarrjes, ndërsa pritet që të zbardhen detaje të reja në lidhje me ngjarjen se kush fshihet dhe kush e porositi atentatin e bujshëm mesditën e 19 prillit në Shëngjin të Lezhës.