SYRI TV/ Vrasja e 20 vjeçarit, vijojnë kërkimet për Muratajn, sipas TIMS nuk ka dalë jashtë vendit

Vijojnë verifikimet dhe kontrollet për Arbër Muratajn, i shpallur në kërkim policor pasi ka dyshime të forta se mund të jetë organizatori i vrasjes së 20-vjeçarit Stiven Toshkëzi.  Sipas grupit hetimor policia e ka verifikuar sistemin TIMS dhe rezulton që Murataj nuk ka dalë jashtë vendit, por nuk përjashtohet pista e largimit ilegalisht.  Arbër Murataj është djali i Admir Muratajt, i vrarë në grabitjen e Rinasit.

Nga SYRI TV

Disa dite pas ngjarjes së rëndë ku humbi jetën 20-vjeçari Stiven Toshkëzi, policia vijon kontrollet dhe kërkimet për të shpallurin në kërkim Arbër Murataj, i cili dyshohet si organizator i vrasjes së Toshkëzit.

Burime nga grupi hetimor thonë për SYRI TV se një ditë më parë policia ka bërë verifikime dhe sipas sistemit TIMS, Murataj nuk rezulton të jetë jashtë vendit, kështu që kërkimet janë përqëndruar brenda territorit shqiptar, por grupi hetimor nuk përjashton as pistën e një largimi të mundshëm ilegalisht.

Në pyetje janë marrë dhe të afërm të Muratajt, por kjo nuk i ka ndihmuar hetuesit për të identifikuar vendndodhjen e 18-vjeçarit Arbër Murataj, i cili dyshohet se është organizator i vrasjes së 20-vjeçarit Stiven Toshkëzi. Teksa miku i tij Aksel Hoxha ka mohuar të jetë iniciuar apo nxitur nga Murataj.

Mbrëmjen e 18 prillit, Ensi Maze dhe Aksel Hoxha i zunë pritë Stiven Toshkëzit ku e qëlluan me thikë, teksa 20-vjeçari nuk mundi t’i mbijetojë plagëve të marra. Ndërkohë që të dy të rinjtë, Aksel Hoxha dhe Ensi Maze ndodhen nën masën e sigurisë arrest me burg.

Arbër Murataj është djali i Admir Muratajt, i vrarë gjatë një shkëmbimi zjarri me policinë pas grabitjes së Rinasit.