INTERVISTA/ Alfred Lela: Posteri i Belind Këlliçit e arriti qëllimin...
Alfred Lela: “Gishti është për korrupsionin. Kush fyhet nga gishti që i drejtohet korrupsionit ka një problem me veten, jo me Belindin, jo me posterin.”
“Belindi ka pasur edhe ka ide të tjera shumë të mira, shumë më të forta që s’kanë këtë kontraversilitetin e gishtit në poster.”
“Është për të qeshur fakti që Rama nuk i njeh si opozitë as z.Berisha dhe as z. Meta dhe njeh z. Alibeaj, ndërkohë që në poster ka zotin Berisha dhe zotin Meta!!! Nderi i madh që i ka bërë opozitës ky poster është pikërisht fakti që pavarësisht se çfarë thuhet jo “non grata”, jo “zorra qorre”, jo “nuk i njoh”, jo “nuk ekzistojnë”, jo “janë të vdekur”, nderimi i tyre në posterin kryesor të fushatës së qeverisë tregon pikërisht të kundërtën"
Intervistë e z. Alfred Lela, drejtor i Zyrës së Shtypit dhe Komunikimit në PD, në emisionin “Kafe Shqeto” në Syri TV me gazetarin Flavio Qarri, pas goditjes që shënoi në vëmendjen e qytetarëve, posteri i fundit i Belind Këlliçit, kandidatit të opozitës për kryebashkiak të Tiranës, kundër abuzuesve me fondet publike.
Gjithashtu, një gjykim edhe mbi posterin e vetëm të PS në këtë fushatë, ku në absurd, fytyra e kryeministrit Edi Rama po përfaqëson 61 kandidatët e tij të bashkive.
Kafe Shqeto: Z. Lela, për gjetjen politike ndoshta më interesante të tri fushatave të fundit, a ka pasur debate të brendshme në PD, në kampin e fushatës, ky poster?
Alfred Lela: Ka pasur disa mosdakortësi, por kanë qenë më të vogla. Konsensusi ka qenë që posteri të vazhdojë, të shfaqet, gjë që edhe ndodhi. Sigurisht që këto përplasjet ose kontradiktat e vogla, janë normale në çdo shtab fushate. Pra, nuk ka asnjëherë asnjë ide që pranohet menjëherë, automatikisht, por mendoj që ata që kanë qenë në favor të ekspozimit, të shkuarit përpara me idenë, ia kanë arritur qëllimit dhe janë në anën e fituesit të idesë.
Kafe Shqeto: Përtej sëkëlldisë, ka pasur një reagim shumë më të madh proporcional se ç’e prisnim edhe nga kampi kundërshtar i z. Këlliçi, praktikisht nga i gjithë rrjeti. Si do ta vlerësonit reagimin edhe të atyre që janë neutralë, që nuk kanë një angazhim apo atashim në asnjërin prej kampeve?
Alfred Lela: Posteri ia ka arritur qëllimit. Kjo është e para dhe në komunikim publik, politik, ky është qëllimi i parë. Pra e ka realizuar synimin një. Synimi dy është që të përçojë edhe mesazhin që është pas posterit dhe këtu ka pasur keqlexime dhe këtu unë gjej keqdashakeqësi. Pra, edhe ata që thonë se janë asnjanës, nuk i përkasin asnjërit kamp, vetidentifikohen me anë të reagimit si në fakt të të njërit kamp, se mesazhi i tyre është i qartë. Kështu i drejtohen duart e Belindit - kandidatit të koalicionit “Bashkë fitojmë”, korrupsionit.
Pra, nuk mund të shkëpusësh gishtat nga korrupsioni dhe gjestin nga qëllimi. Kush e bën këtë ka një moslexim, keqlexim, keqdashësi, quaje çfarë të duash. Mesazhi është shumë i qartë se kujt i drejtohen gishtat dhe për çfarë.
Kush fyhet nga kjo, në mënyrë të pavullnetshme ndoshta bëhet mbrojtës i korrupsionit, i asaj që Belindi ka dashur të sulmojë, pra t’i japë gishtin. Gishti është për korrupsionin.
Kush fyhet nga gishti që i drejtohet korrupsionit ka një problem me veten, jo me Belindin dhe jo me posterin dhe vjen, quaje nga pozicionimi, quaje nga shpërfillja e mesazhit, quaje po deshe dhe nga injoranca, pra nuk ka arritur ta kuptojë. Janë të gjitha fashat këtu në ata që kanë reaguar me forcë apo me indinjatë apo me sëkëlldi ndaj mesazhit dhe posterit.
Kafe Shqeto: Megjithatë duket se i ka kaluar pritshmëritë; në fakt pritej që kandidati i koalicionit “Bashkë fitojmë” të ishte dhe ai protagonist i kësaj fushate elektorale, por le të themi që gjasat ishin të vogla përballë një makinerie “dinozaur” propagande dhe një rreshtimi të atillë mediesh dhe televizionesh. Z. Lela, sa e vështirë është kjo fushatë në kushtet e një gati, censure dhe izolimi mediatik, veçanërisht nëse ndjekim rregullat e KQZ që parashikojnë z. Alibeaj si opozitë zyrtare?
Alfred Lela (e vazhdon): ...fitues të kohës më të madhe televizive, të fondeve e me radhë. Sigurisht, s’është e lehtë. Pra, opozita reale është e skajuar, është e shmangur, janë përdorur të gjitha metodat por opozita reale di edhe të jetë kreative dhe ka qenë kreative dhe ky poster është pjesë e kreativitetit, e thyerjes së barrierave edhe të konvencionales, por edhe të një kundërshtari që zotëron dhe operon me gjithçka. Por Belindi nuk është kjo... Nganjëherë duket sikur nxitohemi për t’i dhënë posterit më shumë edhe se meriton.
Belindi ka pasur edhe ka ide të tjera shumë të mira, shumë më të forta që s’kanë këtë kontraversilitetin e gishtit në poster. Urbanët falas është një ide shumë e fortë që gjithashtu ka mërzitur dhe ka sëkëlldisur njerëz. Oazet e gjelbërta është një tjetër ide e tij gjithashtu e fortë. Lana si park apo Lana e pastër a Lana e kaltër.
Edhe nënkalimi është një tjetër ide e fortë dhe jam i sigurt që do të ketë në rrugë e sipër, sepse fushata është në gjysmën e vet, ka ende kilometra dhe nënkalime për të përshkuar, kështu që do të ketë edhe ide të tjera të cilat mund të jenë edhe kontroversiale.
Kafe Shqeto: Ndërkohë, z. Lela, një koment tuajin meqë jemi tek posterat. Është etiketuar jo etik në nivel politik dhe njerëzor, madje nga KQZ është etiketuar edhe jo i ligjshëm, posteri i mazhorancës, posteri personal i z. Rama. Si do e komentonit faktin që s’kemi asnjë kandidat me poster nga ana e mazhorancës? Kemi vetëm atë të Ramës dhe mbi të gjitha, ku 2/3 e posterit janë udhëheqës të opozitës.
Alfred Lela: Po janë të panjohur! Jo vetëm të panjohur kandidatët e Ramës por janë edhe të falimentuar. Kini parasysh se një duzinë bashkish, prej të cilave Rama ka 60, pra dhjetë në 60 janë të falimentuara. Çfarë do të thonë këta kandidatë që kanë falimentuar bashkitë kur kanë pasur pushtetin me vete dhe të gjitha pushtetet?! Kështu që është e qartë se pse është vetëm Rama në poster. Kë të nxjerrë aty?! Punët e shkëlqyera të kujt?! Në këtë kuptim e marrë si të mirëqenë këtë fshehje, Rama që luan rolin kryesor.
Ajo që mua më duket për të qeshur është fakti që nuk i njeh si opozitë as zotin Berisha dhe as zotin Meta, njeh zotin Alibeaj, ndërkohë që në poster ka zotin Berisha dhe zotin Meta!!! Pra, kjo tregon se kush është në fakt opozita e vërtetë. Rama e pranon edhe vetë. Nderi i madh që i ka bërë opozitës ky poster është pikërisht fakti që pavarësisht se çfarë thuhet jo “non grata”, jo “zorra qorre”, jo “nuk i njoh”, jo “nuk ekzistojnë”, jo “janë të vdekur”, nderimi ose “posterimi” i tyre në posterin kryesor të fushatës së qeverisë tregon pikërisht të kundërtën dhe në këto linja do të jetë edhe në vazhdim beteja politike me sa duket; Rama që flet për të shkuarën se s’flet dot për të ardhmen kur i duhet të fliste për dhjetë vitet e tij në pushtet sepse ta themi edhe njëherë, këto dhjetë vite nuk ka qenë në pushtet as Berisha as Meta, ka qenë në pushtet ekskluzivisht me të gjitha pushtetet, sidomos në 4-vjetëshin e fundit, vet zoti Rama. /ar.sh/SYRI.NET