Sa shumë përpjekje për një Licencë!!

Nga Petraq Koka*/

A duhen publikuar eksperiencat personale?

Mendoj se po! Kur institucionet nuk përgjgjen, qëndrimet e tyre duhen bërë publike.

Heshtja e tyre është indikacion i sëmundjes që e ka kapluar. Sëmundja e injorimit të qytetarëve. E ndjejnë veten të fuqishëm, të patrazuar, të sigurta.

Por unë mendoj se është detyrë shoqërore e kujtdo që të zgjojë tek njerëzit ndjenjën e drejtësisë dhe të ndëshkueshmërisë. Të shfrytëzojnë sa më shumë mundësitë që demokracia ofron.

Dikush mund të mendojë: si ju zotëri, me kaq vite në kurriz e bëni publik një shqetësimin tuaj, personal!

Në fakt asnjë shqetësim nuk është personal, kushdo që hesht i bën dëm të madh shoqërisë!

Që në vitin 1620, në Angli populli kishte të drejtë të bënte letra në parlament dhe të ngrinte shqetësime!

400 vjet më parë!

Dhe këto letra dhanë një kontribut të shquar në demokratizimin e atij vendi, duke bërë fillimet e një demokracie që vit pas viti e ktheu Anglinë në vendin e parë më demokrat të kohëve moderne*

Heshtja nuk i shërben demokracisë, i shërben vetëm forcimit të diktaturës.

“Njerëz, jini vigjilentë”, ka thënë Julius Fucik

Nëse krahasojmë funksionimin e Institucioneve deri në vitin 2005, ndofta deri në 2007, me bunkerizimin që kanë sot, kupton sa shumë kemi rrëshqitur në diktaturë. Në periudhën 1996-2005. mund të takoje këdo funksionar, kushdo të priste dhe të sqaronte për problemet.

Në këtë periudhë linden disa shoqata interesi të cilat arrinin të transmetonim shqetësimet deri lart. Sot nuk ka më të tilla, ato lindën në vitin 2000 dhe filluan të vdesin rreth vitit 2005!

Tani ka ardhë dita e : “O Mete, për vete”, siç thotë populli në jug!!

Për të kuptuar çfarë institucionesh bunker ka Shqipëria, po e ilustroj me një shembull!

Për shkak të lidhjeve që kam me fshatin Qeparo, duke qenë se ky fshat është në listën e monumenteve, që në korrik 2022 kam bërë aplikim, për një licencë të thjeshte inxhinieri restaurator. Në nëntor u miratua aplikimi dhe më erdhi kërkesa të kryeja pagesën respektive. U krye pagesa brenda ditës dhe më pas…..ra heshtja !!! Fillova të bej aplikim pas aplikimi online, ne 15 shkurt i jam drejtuar me letër Ministres përkatëse. Si rezultat asgjë. Përgjigja e sekretares së Ministrisë znj Bruci ishte shumë pompoze:

“Institucioni jonë ka procedura respektive”…etj etj..

Kjo vonesë justifikon edhe faktin që në treg ka një nr. të kufizuar Licencash, të cilat nuk kam as dëshirën as mundësinë ti paragjykoj!

Pse duhet të jetë kaq e munguar dhënia e Licencave të këtij lloji nga ITKT? Çfarë kërkon Ministrja nga aplikuesit që nuk i miraton brenda afateve, për më tepër as denjon të përgjigjet?

Kur ke 40 vjet eksperiencë pune, je pedagog, je me titull Doktor Shkencash, në jetën tende të gjatë të punës ke bërë disa objekte ristrukturim, si edhe me dhjetëra projekte konstruktive, ti mendon se kjo do jetë një rrugë e thjeshtë që do doje një praktike formale, me kohëzgjatje 2-3 mujore.

Nisur edhe nga fakti që Institucionin e Ministrisë së Kulturës e drejton një vajze e re, me formim evropian, që di të vishet bukur dhe me stil, me paraqitje moderne dhe të kuruar!

Dhe me profesion të afërt me profesionin tënd.

Ndërkohë që marrja e një Licence, pranë Ministrisë së Ndërtimit është një procedurë e thjeshtë, falë specialistëve të mrekullueshëm që punojnë në këtë institucion, nuk ndodh kjo situatë në Ministrinë e Kulturës.

Edhe vetë aplikimi për këtë Licencë në e-albania është më se i sofistikuar, më së i vështirë, ndryshe nga aplikimet e tjera, të thjeshtuara dhe përmirësuara shumë në këtë platformë.

Zonja Ministre.

Pse kaq shumë burokraci në institucionin tuaj?

Pse është kjo mungesë e theksuar respekti ndaj profesionistëve të njohur të këtij vendi, një ndër të cilët mendoj se jam edhe unë! Pse ky narcisizem zonja Ministre! Kemi edukuar disa breza studentesh dhe inxhinierësh në jetën tonë, kemi një eksperiencë të gjatë pune si në Shqipëri ashtu edhe jashtë saj dhe na detyroni të kërkojmë rrugë komunikimi jo ligjore, për të thyer heshtjen tuaj mitike!! Kush është modeli që ju kini në jetë e nderuar vajzë? Si vajzë e edukuar në perëndim, nuk besoj se këtë praktike ju ka mësuar shkolla? Që të refuzoni të modernizoni një institucion të kalbur? Dhe të heshtni kur profesionistët ju drejtohen me kërkesa!

Një vend përparon nëse respektohen profesionistët e tij nga Institucionet! Në të kundërt kthehet në diktaturë edhe në prapambetje! Zhvillimi dhe progresi janë bashkëpunim i brezave, nuk mundet një njeri i vetëm, Ministër apo edhe me lart të refuzojë eksperiencat.

Shpresoj se me këtë shkrim do hedh një rreze dritë mbi mendjet e ndryshkura të njerëzve që nuk e kuptojnë realitetin ku jetojnë.

*Doktor i shkencave teknike