Zhdukja e ‘Koçoles’ dhe Sulovarit/ Zbulohet një mjet i blinduar i braktisur, RENEA e FNSH në Sarandë prej tri ditësh…
Edhe pse kanë kaluar 20 ditë nga zhdukja pa gjurmë e dy burrave në Sarandë, bëhet me dije se Policia në fakt po lëviz shumë shpejt në mbledhje provash, faktesh dhe dëshmish.
Nga të dhënat e ditës së djeshme që vijnë nga Saranda mësohet se është hedhur dritë edhe mbi një tjetër mjet, i cili është gjendur në një parcelë mandarinash. Ai mendohet se është i blinduar dhe është me targa greke. Policia bashkë me forcat speciale të shkuara nga Tirana po bëjnë kërkime të shumta për të rënë në gjurmët e dy të rrëmbyerve, ndërkohë që të gjitha dyshimet janë se ata kind të jenë në fshatin Vrinë, aty ku pretendohet se është bërë e mundur të merret edhe një informacion nga një burim konfidencial i Policisë.
Hetimet për të gjetur shkakun e kësaj ngjarjeje të rëndë mësohet se janë përqendruar tek hakmarrja dhe përplasjet për trafikun e drogës, kryesisht me Greqinë, por grupi hetimor ende nuk është në gjendje të përcaktojë fiks njërën nga këto dy pista se cila është e vërteta. Dëshmitë dhe faktet që kanë dalë ditëve të fundit, tregojnë se në rrëmbimin e tyre është përdorur edhe një makinë tjetër e cila është gjendur në një garazh, të pambyllur, të një personi që në fakt jetonte në Sarandë. Atij iu ka marrë dëshmia por është lënë i lirë, pasi në rrëfimin e tij nuk është zbuluar ndonjë element ku mund të flitej për implikim apo dijeni të tij. Mjeti ka dalë në qarkullim me dy palë targa, të dyja të vjedhura dhe më pas është futur në atë garazh pa “zot”.
Mjetet dhe kërkimet
Sipas të dhënave që ka treguar Policia e Sarandës ditën e djeshme është mësuar se një automjet i blinduar tip “Jeep Cherokee” me targa greke BOO – 9195 është mes automjeteve që Policia e Sarandës ka sekuestruar gjatë kontrolleve për mbledhjen e provave lidhur me zhdukjen e mistershme të 46-vjeçarëve Leonard Thodhori e Fatmir Sulovari. Fuoristrada e zezë dhe me xhama të zinj është zbuluar në një plantacion mandarinash në fshatin Xarrë të Bashkisë Konispol. Ndërkaq detaje të reja janë mësuar edhe për mjetin e dytë të sekuestruar nga Policia në një karburant në Qafë Gjashtë.
Fuoristrada “Land Rover Discovery” me targa greke e marrë nga operacionalja me karroatrec, sipas burimeve konfidenciale, lëvizte në qytetin e Sarandës dhe përveç xhamave të zinj, kishte të instaluara brenda saj fenelina si të Policisë, edhe pse këto nuk u gjetën në momentin e sekuestrimit. Sa i përket mjetit “Mercedes-Benz” që ka kryer rrëmbimin, ai rezulton mjeti që ka transportuar autorët e vendosjes së eksplozivit më 5 dhjetor 2022 në banesën e shtetasit Lefter Lefteri në Sarandë. Policia e ndoqi me kamera sigurie këtë mjet deri në dalje të fshatit Gjashtë, ku mjeti mori drejtimin për në Nivicë, aty edhe ku u gjet, konkretisht në një garazh pa dry, të marrë me qira nga një shtetas me banim në Sarandë. Burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije se hetimet kanë ecur me ritme të shpejta orët e fundit por ende nuk jemi afër nxjerrjes së urdhër arresteve. Kërkimet e djeshme të RENEA-s dhe FNSH-së janë zhvilluar si nga deti ashtu edhe nga toka.
Ngjarja tjetër
Mësohet se makina që tashmë është zbuluar në fshatin Nivicë të Himarës, për llogari të çështjen penale të rrëmbimit dhe zhdukjes së Fatmir Sulovarit dhe Leonard Thodhorit, rezulton të jetë përdorur dhe në ngjarjen kriminale të datës 5 dhjetor 2022 në Sarandë. Bëhet fjalë për ngjarjen ku është vendosur një sasi tritoli në derën e vila “Kulla”, e cila është pronë e Lefter Lefterit. Ky i fundit është ndërtues në Sarandë, ndërsa ka pasur disa herë probleme me ndërtimet, duke sjellë dhe shoqërimin në polici. Policia, e ka pikasur prezencën e “Benz-Mercedez”-it, pikërisht në muajin dhjetor të një viti më parë.