BE kërkon gazin azer, katër vende të Unionit marrëveshje me Azerbajxhanin
Evropa i ka kthyer sytë nga Azerbajxhani për një alternativë ndaj gazit rus. Bullgaria, Rumania, Hungaria dhe Sllovakia nënshkruan të martën një marrëveshje me këtë vend për të intensifikuar transferimin e gazit natyror drejt BE-së, Evropës qendrore dhe asaj jug-lindore.
Nënshkrimi i memorandumit u bë në Sofje. Presidenti i Azerbajxhanit e quajti akordin një “hap të marr në kohën e duhur”.
“Sot po implementojmë projektin e shekullit të 21-të. Një projekt që do të rritet. Si një partner i besueshëm në energji, Azerbajxhani është gati të vijojë rrugëtimin dhe të arrijë objektivat e tij”, thotë Ilham Aliyev, president i Azerbajxhanit.
“Zgjidhja më e mirë për krizën aktuale energjetike në Evropë do të ishte sjellja e gazit nga burime dhe rrugë të ndryshme”, shprehet Peter Szijjarto, ministër i Jashtëm i Hungarisë.
Pas pushtimit rus të Ukrainës, Bashkimi Evropian po përpiqet të diversifikojë tregun e tij energjetik, për t’u shkëputur nga vartësia ruse.
Unioni nënshkroi një memorandum mirëkuptimi me Azerbajxhanin në korrik për të dyfishuar volumin e gazit azer të importuar në 20 miliardë metër kub në vit brenda 2027-s.