PAMJE TË RËNDA/ Digjen të gjallë 13 gangsterët e bandës që mori pjesë në vrasjen e presidentit të Haitit

Një turmë në kryeqytetin e Haitit rrahu dhe dogji për vdekje 13 anëtarë të dyshuar të një bande kriminale, që besohet se ka dorë edhe në vrasjen e presidentit vitin e kaluar. Pasi ua hoqi gangsterët policisë nga duart në një ndalesë trafiku, i spërkatën me benzinë dhe dogjën të gjallë, thanë policia dhe dëshmitarët. Dhuna e tmerrshme nënvizoi situatën gjithnjë e më të paligjshme në Port-au-Prince, ku bandat kriminale kanë marrë kontrollin mbi rreth 60% të qytetit, që nga vrasja e Presidentit Jovenel Moïse, në korrik 2021. Dëshmitarët në vendngjarje thanë se të dyshuarit besohet të kenë qenë anëtarë të bandës “Kraze Barye”, që përkthehet në “Thyerja e Barrierave”. Autoritetet thonë se grupi drejtohet nga Vitel’Homme Innocent, i cili akuzohet se ka ndihmuar në rrëmbimin e 17 misionarëve amerikanë në tetor 2021 dhe gjithashtu është i lidhur me vrasjen e Moïse.

Policia Kombëtare e Haitit tha në një deklaratë të shkurtër se oficerët në seksionin Canape Vert të qytetit ndaluan dhe kontrolluan një minibus për kontrabandë dhe kishin konfiskuar armë nga të dyshuarit, përpara se ata “për fat të keq të linçoheshin nga popullata e irrituar”. Deklarata nuk shpjegonte se si anëtarët e turmës ishin në gjendje të merrnin kontrollin e të dyshuarve.

Një dëshmitar që dha emrin e tij si Edner Samuel, tha për ‘Associated Press’, se anëtarët e turmës i morën gangsterët e dyshuar larg policisë, i rrahën dhe i vranë me gurë para se t’i vendosnin goma, duke i derdhur benzinë ​​dhe duke i djegur. Një gazetar i AP në vendngjarje pa 13 trupa të djegur në një rrugë. Zjarret tërhoqën qindra shikues në periferinë kodrinore të qytetit. Samuel tha se të dyshuarit besohej se po shkonin në një zonë tjetër për t’u bashkuar me një grup anëtarësh të bandës, që po luftonin me policinë.