Alarm dëmtimesh në kampin e Romës, Dybala në dyshim për sfidën ndaj Milanit

 

Sikur të mos mjaftonte disfata në Bergamo, në kampin e Romës ka emergjencë dëmtimesh në prag të ndeshjeve të fundit të sezonit, duke nisur që nga sfida e së shtunës kundër Milanit.

Janë të sigurta mungesat e Smalling dhe Wjinaldum, ndërsa Dybala është në dyshim serioz për sfidën ndaj kuqezinjve në Serie A. Argjentinasi u dëmtua pas një kontakti me Palomino. Një dëmtim në kavilje që shqetëson shumë kampin verdhekuq.

Nesër lojtari do të bëjë disa kontrolle të specializuar për të kuptuar shkallën e dëmtimit. Vetëm pas këtij kontrolli mund të mësohet me saktësi nëse argjentinasi do të jetë i gatshëm për sfidën direkte ndaj Milanit për zonën Champions League.

Listës së mungesave i shtohet edhe emri i Llorente, që ka një dëmtim muskulor në kofshën e majtë. Mbrojtësi rrezikon të paktën 2 javë pushim, por në orët në vazhdim do të ketë një tablo më të qartë për kohën e rikuperimit. Mourinho duhet të përgatisë sfidën ndaj kuqezinjve praktikisht me gjysmën e titullarëve të padisponueshëm.