SYRI TV/ 4 mln euro shtesë për rrugën 'e florinjtë', projekti i Unazës së Re vijon të thithë fonde nga Buxheti
Autoriteti Rrugor Shqiptar ka dhënë 4 milionë euro të tjera për Unazën e Re, që përfshin gjatësinë e rrugës nga Pallati me Shigjeta, tek ish-sheshi Shqiponja. Unaza e Re është kthyer në gropë thithëse për buxhetin e shtetit, ndërsa përfundimi I veprës infrastrukturore duket ende i largët,.
Nga SYRI TV
Unaza e Re në Tiranë është shndërruar në një lloj grope thithëse për miliona euro nga Buxheti i Shtetit, ndërkohë që përfundimi i veprës publike ende nuk po duket.
Ditën e sotme, Autoriteti Rrugor Shqiptar ka shpallur një tender të ri, me vlerë mbi 4 milionë euro për punime të reja në aksin Pallati me Shigjeta-Sheshi Shqiponja.
Sipas dokumenteve të parë nga “Syri Televizion” rezulton se institucioni i drejtuar nga Evis Berberi ka menduar të shpenzojë rreth 470 milionë lekë të reja për punime plotësuese dhe rehabilituese në aksin kryesor të Unazës së Re, i cili duhet të kishte përfunduar të paktën një vit më parë.
Ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku, premtoi pak ditë më parë se Unaza e Re e Tiranës do të përfundojë brenda vitit 2023, megjithëse afati fillestar ishte viti 2022.
Por, ky premtim i Ballukut po shoqërohet me një faturë të re mbi atë aks rrugor, i cili nisi punimet me 25 milionë euro për kilometër dhe gjatë procesit i janë shtuar edhe të tjera miliona euro.
Projekti i florinjtë i Unazës së Re në Tiranë u prezantua nga qeveria e Edi Ramës si mënyra efikase për zgjidhjen përfundimtare të trafikut në hyrje të kryeqytetit.
Megjithatë, përdoruesit e këtij aksi kryesor përballen çdo ditë me trafik të rënduar, i cili vjen për shkak se shpenzimi dhjetëra milionat euro u krye mbi një projekt, i cili nuk rezulton më i miri i mundshëm.