SYRI TV/ BB: Mbrojtja sociale në Shqipëri është shumë e ulët, mbulon vetëm 20% të të varfërve
Banka Botërore ngre alarmin mbi nivelin e mbrojtjes sociale në Shqipëri, pasi arrin të mbulojë vetëm 20% të popullsisë së varfër. Sipas Bankës Botërore, situata është përkeqësuar akoma më shumë për të varfrit pas krizave të njëpasnjëshme që kanë shkaktuar rritje të inflacionit.
SYRI TV
Shqipëria ka gati një të katërtën e vendit që jeton në varfëri, por njëkohësisht ka mbulim shumë të dobët me asistencë sociale të kësaj shtrese.
Të dhëna krahasuese të Bankës Botërore tregojnë se, pagesa e asistencës sociale në Shqipëri mbulon vetëm 20 për qind të popullsisë që jeton në varfëri.
Krahasimi i mbulimit të të varfërve me ndihmë ekonomike është bërë për periudhën e parapandemisë, por inflacioni i lartë dhe indeksimet e ulëta të pensioneve mund ta kenë përkeqësuar më tej këtë tregues, thekson BB.
Kriteret për të përfituar ndihmë ekonomike në të gjithë Ballkanin Perëndimor lidhen kryesisht me masa kategorike, të tilla si prania e fëmijëve në familje, statusi i varësisë, por jo për statusin aktual të mirëqenies.
Goditjet e mëdha të viteve të fundit kanë nxjerrë në pah rëndësinë e madhe që kanë sistemet e mbrojtjes sociale për të frenuar përhapjen e varfërisë.
Edhe pse të gjashtë vendet me mbulimin më të ulët të mbrojtjes sociale, ndër to edhe Shqipëria, shpenzojnë ndërmjet 8 dhe 13 për qind të PBB-së për mbrojtjen sociale mbi 70 për qind e kësaj shkon për pensionet, krahasuar me vendet e OECD-së, ku shpenzimet mesatare të mbrojtjes sociale për pensionet janë 40 për qind.