EMRAT/ U raportua si defekt teknik, policia: Makina u dogj qëllimisht, 2 në pranga

Makina e djegur në parkim një ditë më parë në Korçë është zjarrvënie e qëllimshme dhe jo ngjarje aksidentale siç u raportua fillimisht nga policia.

Sot, strukturat e Drejtorisë së Policisë së Korçës raportojnë se makina Volkswagen u dogj qëllimisht.

Për këtë ngjarje janë arrestuar dy persona të dyshuar, Romeo Basholli 27 vjeç dhe Gentjan Çipi 38 vjeç.

Automjeti që u dogj është në përdorim nga një 28-vjeçareje dhe në pronësi të vëllait të saj. Nga hetimet e kryera rezulton se Gentjan Çipi në muajin Dhjetor 2022 e ka kanosur nëpërmjet telefonit 28-vjeçaren.    

Gjatë kontrollit në banesën e Romeo Bashollit u gjet dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale një sasi e vogël municioni luftarak. Gjithashtu u sekuestruan veshje dhe një automjet që ka përdorur Basholli në këtë ngjarje.

Vijon puna për dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje, identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë penale të shtetasve të tjerë të përfshirë.