Vrasja e 20-vjeçarit në Tiranë/ Shpallet në kërkim djali i Admir Muratajt

Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me ngjarjen ku humbi jetën 20-vjeçari Stiven Toshkëzi.

Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije për gazetaren e Syri TV, Bleona Sari, se policia ka shpallur në kërkim Arbër Muratajn, djali i Admir Murataj, i cili mbeti i vrarë në 2019 në grabitjen e Rinasit.

Policia ka shkuar në banesën e Muratajt, por nuk është gjetur, ndërkohë që i është ushtruar kontroll edhe disa banesave të të afërmve të tij, ku njërit prej të afërmve te Muratajt i është gjetur një sasi lënde narkotike, kanabisi dhe është shoqëruar. Të njëjtat burime thanë se 18-vjeçari Arbër Murataj është shpallur në kërkim policor pasi dyshohet se Aksel Hoxha (Axel) është nxitur nga Murataj për të ngacmuar vajzën, të dashurën e Stiven Toshkëzit.

Kjo është konstatuar edhe nga vetë vajza, e cila ka deklaruar se shqetësohej here pas here nga Murataj, gjë e cila ishte vënë re dhe nga Toshkëzi.

Në konfliktin e ndodhur përpara 4 muajve në Rrugën e Elbasanit janë konfliktuar Stiven Toshkëzi dhe Arbër Murataj, ky i fundit i shoqëruar dhe nga Aksel Hoxha. Pas këtij konflikti, ku i dhunuar mbeti Toshkëzi nga Murataj, vajza po shqetësohej në rrjetin social Instagram nga dy të rinjtë.

Hoxha nuk e ka pranuar që është ndikuar nga Murataj, por pretendon se ka pasur konflikte me viktimën që prej konfliktit ku ishin përfshirë të 3 të rinjtë.

Viktima është telefonuar disa herë nga Murataj për t’u takuar, por nuk ishin dakordësuar për shkak se mes tyre kishte situata të tensionuara herë pas here. Murataj dhe Hoxha kanë qenë miq me njëri-tjetrin.