Porositi 137 kg kokainë/ Apeli dënon me 8.8 vite burg Gentian Malindin

Gjykata e Posaçme e Apelit la në fuqi dënimin me 8 vjet e 8 muaj burg për Gentian Malindin, i akuzuar për trafikimin e 137 kg kokainë nga Ekuadori, e cila u zëvendësua me oriz në Portin e Pireut.

Malindi u fajësua për veprat penale të “trafikut të narkotikëve” dhe “grupit të strukturuar kriminal”. Episodi kriminal për të cilin u fajësua Malindi u shënua në shtator të vitit 2019. Sasia e drogës ishte fshehu në një kontejner të nisur nga Ekuadori me destinacion final portin e Durrësit.

Prania e saj në kontejner u zbulua nga autoritetet, dhe gjatë transitit në Portin e Pireut në Greqi, sasia u zëvendësua me oriz. Për të njëjtën linjë trafiku më herët janë dënuar me nga 18 vite burg Ardian Bega dhe Altin Myslihaka.

NJOFTIMI ZYRTAR

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Florjan Kalaja (kryesues), Engert Pëllumbi (anëtar) dhe Igerta Hysi (anëtare), më datë 25.04.2023, përfundoi shqyrtimin e çështjes së regjistruar me nr. 26 akti, datë 22.02.2023 regjistrimi, mbi ankimin e paraqitur nga ankuesi/i pandehuri G.M., kundër vendimit nr. 2, datë 10.01.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar që ka vendosur:

1.      Deklarimin fajtor të të pandehurit G.M. për kryerjen e veprës penale “Trafikimi i narkotikëve”, në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal” parashikuar nga neni 283/a/1, dhe në lidhje me nenet 28/4 dhe 334/1 të Kodit Penal dënimin e tij me 13 (trembëdhjetë) vjet burgim.

2.      Deklarimin fajtor të të pandehurit G.M. për vepër penale “Grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333/a/1 i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 5 (pesë) vjet burgim.

3.      Bazuar në nenin 55 të Kodit Penal në bashkim të dënimeve i pandehuri G.M. dënohet me një dënim të vetëm prej 13 (trembëdhjetë) vjet burgim.

4.      Në zbatim të nenit 406/1 të Kodit të Procedurës Penale, të pandehurit G.M. i ulet 1/3 (një e treta) e dënimit të dhënë, duke u dënuar përfundimisht me 8 (tetë) vjet e 8 (tetë) muaj burgim.

5.      Vuajtja e dënimit për pjesën e pavuajtur të kryhet nga i pandehuri G.M. në një burg të sigurisë së lartë, në respektim të nenit 16 pika 1, germa “a” të ligjit Nr. 81/2020 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”.

Në përfundim, Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi:

Lënien në fuqi të vendimit nr. 2, datë 10.01.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.