Derbi i Manchesterit në finalen e FA Cup, Guardiola provokon United: S’duhet të kenë frikë
Pep Guardiola pohoi se Manchester City mbetet shumë larg nga një tripletë historike, pavarësisht se ka rezervuar një vend në finalen e FA Cup.
Një tripletë e Rijad Mahrezit eliminoi Shefilld Junajtidin në gjysmëfinalen e “Wembley”-t dhe i hapi rrugën finales me komshinjtë e Manchester United.
“Ata (United) nuk duhet të kenë frikë, ne jemi fqinjë”, tha duke qeshur Guardiola.
“Ne jemi larg për tripletën. Nga pikëpamja argëtuese është OK, por realiteti ishte thjesht të vinim këtu dhe të performonim. Ajo që më ka bërë përshtypje te ky klub është se të gjithë, hierarkia, stafi, janë duke fituar tituj, duke fituar trofe dhe ne jemi ende atje. Kjo është ajo që më bën më shumë krenar si trajner. Ti mund ta bësh një vit. Por unë nuk dua që të fitoj një Champions dhe pastaj ti e sheh veten në vendet e fundit. Ky klub është shumë i qëndrueshëm.
Unë jam ende këtu, sepse kemi fituar, përndryshe nuk do të isha këtu, nuk jam idiot. Pas gjashtë vitesh, në shtatë javët e fundit jemi ende duke luftuar për titujt, më të mëdhenjtë, dhe ky është trofeu më i rëndësishëm që mund të marrim. Faleminderit djemve”.
City prishi mallkimin, ndërsa ishte eliminuar katër herë në gjysmëfinale me katalanasin në stol.
“Paraqitjet më të këqija që kemi bërë ndër vite kanë qenë ndeshjet gjysmëfinale të këtij kompeticioni. Shumë njerëz udhëtuan nga Manchesteri duke e ditur këtë gjë dhe unë u thashë lojtarëve: ‘djema luani mirë’”.