Zendaya rikthehet në muzikë pas 7 vitesh: Super performanca në Coachella

Para se të bënte histori në Emmy Awards me “Euphoria”, Zendaya ishte një element i rëndësishëm i Disney Chanel.

Thënë kjo, si pothuajse të gjithë yjet e Disney-t, ajo u përfshi edhe në një karrierë muzikore për pak kohë. Si rezultat, publikoi albumin “Zendaya” në vitin 2013 dhe këngën e suksesshme “Replay”, por pas turneut të albumit në vitin 2015, e la “në harresë” muzikën.

DERI TANI!

Zendaya surprizoi të pranishmit në javën e dytë të Coachella-s, kur doli në skenë si një e ftuar speciale e Labrinth. Ajo performoi live për herë të parë në më shumë se shtatë vjet.

Ajo dhe Labrinth performuan "I'm Tred" dhe "All of Us" nga “Euphoria” duke krijuar padyshim një atmosferë spektakolare.

“Unë u largova nga muzika shumë kohë më parë, për një sërë arsyesh, por ende e dua shumë, kështu që mirësia dhe mbështetja që kam marrë ditët e fundit vetëm se u riktheva pak sërish në muzikë do të thotë shumë për mua. Faleminderit.” – u shpreh Zendaya.