‘Jeta e pasigurt’, Luçiano Boci: Rama u rikthye në skenën e krimit të tij, pa pikë turpi u tall me qytetarët

Luçiano Boçi, kandidati i koalicionit opozitar “Bashkë Fitojmë” për Bashkinë e Elbasanit, publikoi pjesë të një kronike nga qyteti, ku qytetarët shprehin shqetësimin e tyre për gjendjen e vështirë ekonomike në të cilën ndodhen dhe pasiguritë për jetën.

“Ky është Elbasani që nuk mund të fshihet pas 16 vitesh. Në vend të fjalëve dhe premtimeve do të duhej një ndjesë e madhe dhe një largim për këtë dështim spektakolar të atyre që kanë drejtuar”, shkruan Boçi. Ai, përmendi se në këtë qytet është gjendje e vështirë ekonomike dhe ka pasiguri për jetën. Boçi deklaroi se kryebashkiaku i Elbasanit, Gledian Llatja duhet të ikë vetë nga posti përpara se ta largojnë me votë. Ai publikon një video në “Facebook” të qytetarëve të Elbasanit të cilët flasin për gjendjen e vështirë ekonomike të tyre. “Ky është Elbasani që nuk mund të fshihet pas 16 vitesh! Në vend të fjalëve dhe premtimeve do të duhej një ndjesë e madhe dhe një largim për këtë dështim spektakolar të atyre që kanë drejtuar”, shkruan Boçi.

Kandidati i opozitës për bashkinë e Elbasanit, zhvilloi një takim në Selanik me përfaqësues të komunitetit shqiptar. Ai shkruan se secili prej tyre përfaqëson një histori të bukur suksesi, pasi ia kanë dalë në një vend të huaj pasi qyteti i tyre nuk i konsideroi aq sa duhet.

“Selanik, Greqi. Faleminderit nga zemra për mbështetjen, shihemi në Elbasan në 14 maj. Me bashkëqytetarët e mi të Elbasanit u takova dhe bisedova gjatë në qytetin e bukur të Selanikut. Secili prej tyre përfaqëson nga një histori të bukur suksesi. Ata ja kanë dalë sepse kanë pasur mundësitë që nuk ja ofroi vendlindja e tyre. Ata janë integruar sepse qyteti ku u lindën dhe rritën nuk i konsideroi sa duhet. Por ata duan të kthehen. Mezi presin të kthehen. Çfarë kënaqësie ta dëgjoja të pohuar nga secili prej tyre dëshirën për tu rikthyer në Elbasan! Në 14 maj janë me qindra e mijëra shqiptarë dhe qytetarë të Elbasanit që do të kalojnë kufirin për të kryer aktin patriotik të votës për të sjell ndryshimin në Elbasan dhe gjithë Shqipërinë! Faleminderit për mbështetjen”, shkruan Boci.

Reagimi

Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Elbasanin, Luçianio Boçi në “Facebook” komentoi dje pjesëmarrjen e kryeministrit Edi Rama në këtë qytet lidhur me fushatën zgjedhore. Boçi shkruan se Rama është rikthyer sërish në skenën e krimit dhe se foli në Elbasan “pa pikë turpi (tamam një tallava burrë) në qytetin me të ardhurat më të ulëta për banor”. Sipas tij në zgjedhjet e 14 majti, Ramës “paratë për të blerë vota, mbështetje, kohë televizive, rrjete sociale dhe gjithçka tjetër këtë herë do të shkojnë dëm”. “Edi Rama u rikthye sërish në skenën e krimit të tij! Ndërkohë që takohesha dhe ndaja pritshmëri tërësisht pozitive me bashkëqytetarë të mi elbasanas në Selanik dhe Athinë të Greqisë, të cilët do të vijnë në 14 maj për të votuar ndryshimin, bashkëpunëtorët më informuan për vizitën e Edi Ramës në Elbasan, apo në vendin e krimit të tij politik. Erdhi në qarkun e dytë më të varfër të Shqipërisë. Nuk kërkoi ndjesë. U tall sërish. U foli qytetarëve të mi për garat e ‘Formula 1’.

Hipokrizi dhe tallje e madhe. U foli për garat me makina njerëzve që janë të sfilitur në garën e tyre të përditshme të mbijetesës falë varfërisë ekstreme. Foli për Motopark, në qytetin ku 16.000 njerëz trajtohen me ndihmë ekonomike. 16.000 kryefamiljarë marrin para sa për të mbajtur frymën gjallë. Foli pa turp, duke nënqeshur me arrogancë në qytetin me numrin më të madh të personave që janë në paaftësi për të punuar. Foli pa pikë turpi (tamam një tallava burrë) në qytetin me të ardhurat më të ulëta për banor. E fshehu pas krahëve të tij kandidatin, njësoj siç e ka fshehur në çdo përballje të hapur publike dhe televizive ku e kam sfiduar të flasim për Elbasanin. Edi Rama e tejkaloi shiritin e verdhë të vendit të krimit, kur foli për aftësinë e PS për të ndryshuar Elbasanin. Thënë kjo nga një njeri që ka 10 vjet që është në krye të qeverisë dhe nga një forcë që ka 16 vjet që drejton Elbasanin është jo vetëm cinike, por edhe e pafytyrë. Me sheshin e boshatisur sot në Elbasan, teksa fliste nga Rrapi i Bezistanit, Edi Rama e mori mesazhin e parë të braktisjes. Paratë e tij për të blerë vota, mbështetje, kohë televizive, rrjete sociale dhe gjithçka tjetër këtë herë do të shkojnë dëm. Ta kam thënë në Parlament në sy të gjithë shqiptarëve: Në 14 maj unë dhe elbasanllinjtë e mi do ta bëjmë ndryshimin! Dhe atë punën e gjatësisë mos e përmend më… Ti je shembulli tipik sesi një njeri shtatlartë është moralisht një krijesë tmerrësisht e ulët…”, shprehet z. Boçi.