Lula zbut qëndrimin për Ukrainën: Nuk thashë se Kievi ka faj, por duhet dialog
“Brazili është kthyer”. Presidenti Lula da Silva e bëri të qartë këtë në samitin Brazil-Portugali në Lisbonë.
Pas deklaratës së kontestuar se, Kievi kishte një pjesë të fajit për luftën në Ukrainë, Lula tha se ai e di se çfarë është një pushtim dhe ritheksoi propozimin që një grup vendesh, përfshirë Brazilin, të negociojnë një zgjidhje paqësore.
“Nuk i kam barazuar të dyja vendet sepse e di se çfarë është një pushtim dhe çfarë është integriteti territorial. Të gjithë ne mendojmë se Rusia bëri një gabim dhe e dënuam atë në OKB, por mendoj se tashmë lufta ka nisur dhe duhet të ndalet. Për ta bërë këtë duhet dikush i gatshëm për dialog”, tha Lula da Silva.
Lula mbërriti në Portugali të premten për një vizitë 5-ditore, në përpjekje për të rivendosur lidhjet me jashtë pas qeverisjes së radikalit Bolsonaro. Ai do të vazhdojë turin me një vizitë në Spanjë ditën e martë.