Prokurorja Pula: Asnjë incident nuk është raportuar gjatë zgjedhjeve në Veri të Kosovës

Koordinatorja për zgjedhje nga Prokuroria e Shtetit, Laura Pula ka deklaruar se procesi i zgjedhjes së jashtëzakonshme në Veri ka qenë e qetë, dhe se prokurorët kanë qëndruar atje gjatë gjithë ditës.

“Mund të themi se deri në ora 19:00 kur janë mbyllur vendvotimet në katër komunat e veriut dhe nga informatat që kemi marrë nga prokurorët kujdestarë nuk ka pasur asnjë incident.

Gjatë ditës prokurorët kanë qenë bashkë me policinë dhe kanë vizituar të gjitha qendrat  e votimit. Mund të them se procesi ka kaluar pa asnjë incident. Megjithatë prokurorët do të jenë aty derisa të numërohen edhe votat”, deklaroi Pula.

Ndryshe, në këto zgjedhje votuan 1.567 qytetarë apo 3.47 për qind e trupit votues.

Ata votuan për të zgjedhur katër kryetarë të rinj në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok dhe dy përbërje të reja të asambleve komunale në Leposaviq dhe Zveçan.

Kreu i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, tha se procesi është zhvilluar pa asnjë problem dhe se rezultatet e para preliminare pritet të publikohen në ueb-faqen e saj pas orës 20:00.

Kjo është dalja në zgjedhje, sipas komunave:

Leposaviq: 141 votues apo 1.06 për qind

Zubin Potok: 385 votues apo 5.78 për qind

Zveçan: 204 votues apo 2.92 për qind

Mitrovicë e Veriut: 837 votues apo 4.62 për qind