'Avokati' i Ramës: Femrat ndjejnë kënaqësi kur përdhunohen!
Spartak Ngjela, njeriu që i bën avokatinë Edi Ramës në çdo dalje publike, bëri një deklaratë shokuese disa ditë më parë.
Ngjela u shpreh në një emision televiziv se "përdhunimi nuk ekziston" dhe se "një femër kur përdhunohet dhimbja i kthehet në kënaqësi dhe nuk e kundërshton me përdhunuesin". Kjo deklaratë është as më shumë e as më pak se frymëzim i një akti të rëndë kriminal dhe dënohet me ligj.
Reagimet në rrjetet sociale ishin të ashpra duke dënuar deklaratën skandaloze, që për ironi të fatit doli nga goja e një personazhi me background politik dhe formim juridik. Dhe për më tepër në shpërfillje totale me përgjegjësinë ligjore që mund t'i ngarkohet nga përcjellja e mesazheve të tilla që mund të konsiderohen nxitëse.
Mirëpo, Ngjela nuk ka shprehur pendesë dhe as ka kërkuar falje.
Për emisionin "Piranjat", në Syri Tv, Ngjela i qëndroi asaj që tha rreth 10 ditë më parë, madje duke këmbëngulur se kjo është e parashikuar në ligjin anglo-sakson.
"Nuk është kështu. Nuk është fjali e imja, i referohem ligjit. Unë flas me letra dhe me ligj. Jam i përgatitur unë, ju jeni të papërgatitur totalisht. Mos më tregoni ligjin mua. Nuk kërkoj falje për deklaratën që thashë, pasi nuk është lënduar askush prej saj", ishte reagimi i tij për "Piranjat".
Reagimi masiv i opinionit publik që dënojnë deklaratat e tij nuk ka bërë që Ngjela të pendohet. Në fakt as nuk pritet e kundërta përsa kohë kemi të bëjmë me një personazh që i përket modelit të Edi Ramës që relativizon aktet kriminale dhe justifikon vrasjet me shprehjen nxitëse "Hëngshin kokat e njëri-tjetrit".
Por për çudi, gratë e politikës nuk kanë thënë qoftë edhe një fjalë të vetme. Kujtojmë që gratë e mazhorancës ishin të parat që reaguan ndaj demokratëve disa javë më parë për deklaratat politike nga opozita për aferat e qeverisë me McGonigal, por për rastin skandaloz të avokatit të tyre kanë zgjedhur të heshtin... Se ashtu ua do puna!
Po ashtu shoqatat që promovojnë dhe mbrojnë të drejtat e grave dhe kundër dhunës ndaj tyre, janë si të mos ekzistonin. Nuk ka asnjë referencë mediatike prej tyre, në një kohë kur komentet skandaloze të avokatit të Edi Ramës janë të publikuara në çdo portal dhe videot vijojnë të bëjnë xhiron e rrjeteve sociale.
E mbi të gjitha, është e pakuptimë dhe e pavend heshtja e institucioneve ligjzbatuese. Organet e drejtësisë, menjëherë pas bërjes publike të deklaratës që amniston përdhunimet ndaj vajzave dhe grave, duhet të kishin nisur procedimin penal ndaj Spartak Ngjelës, përsa kohë ai mbrojti publikisht një krim. Sigurisht nga një drejtësi e kapur dhe që merr urdhra nga kryeministri nuk pritet asesi të marrë vendime në mbrojtje të interesit publik dhe luftës ndaj fenomeneve të krimit, bashkë me frymëzuesit e tyre.
Heshtja e institucioneve është një precedent i rrezikshëm, pasi nesër ose pasnesër mund të dalë dikush tjetër që të bëjë deklarata të çmendura ku të përligjen vepra të rënda kriminale apo edhe akte terroriste.