‘14.2 mln euro tendera në SPAK’/ Hoxha: Rama ka falimentuar Vorën, për ta kthyer në bashki 'kçk'
Kandidati demokrat i dalë nga procesi i primareve për Bashkinë e Vorës, Indrit Hoxha ka akuzuar kundërshtarin politik se në 12 muajt e fundit ka bërë 14.2 milionë euro procedura tenderimi, kryesisht në pastrim.
I ftuar në News 24, Hoxha theksoi se ‘tenderi i pastrimit që është bërë në Vorë i ka kushtuar 2.3 milionë euro dhe sot po të dalësh në të gjithë territorin, Vora është qyteti më i pisët që ka në Shqipëri’.
Hoxha u shpreh se ‘e kishte lënë për të premten për ta çuar në SPAK kryetarin e Bashkisë Vorë, por duke qënë se ishte ditë e shënuar Bajrami nuk donte ta bënte kurban për ditë Bajrami kryetarin e bashkisë, dhe kështu që ditën e hënë do ti drejtohet SPAK për të çuar abuzimet me procedurat e tenderimit që ka bërë kryetari i bashkisë në 12 muaj’.
Intervista:
Pyetje: Vora gjithmonë do të lakohet si një vatër sa herë ka zgjedhje. Si është situata tani?
Hoxha: Kjo është një fushatë ndryshe nga të gjitha fushatat e tjera që ka zhvilluar opozita shqiptare apo PD-ja. E para se ne mund të jemi e vetmja opozitë në europë për të cilën nuk drejtojmë asnjë institucion dhe nuk kemi asnjë lloj pushteti. I gjithë pushteti si lokal dhe qëndror është i përqëndruar në dorë të kryeministrit, dhe kjo është një arsye se përse njerëzit stepen për t’u shfaqur. Shumicën e takimeve po e zhvillojmë ndryshe duke bërë takime të vogla me njerëzit. Jo më takime të mëdha si i ka bërë gjithmonë PD.
Pyetje: A janë produktive këto takime?
Hoxha: Unë mendoj se janë shumë më produktive këto takime pasi njerëzit duan kontaktin e drejtpërdrejtë, njerëzit duan të njohin kandidatët e koalicionit, duan të dëgjojnë programin e kandidatëve tanë, alternativën tonë sepse fatkeqësisht kryeministri i vendit në vitin 2017 nuk paraqiti asnjë alternativë dhe program por thoshte më jepni timonin dhe tepsinë dhe mori votat e shqiptarëve. Nuk duhet të ndodhë më kështu. Tashmë pas 32 vitesh demokraci duhet të kemi një qasje ndryshe me qytetarët e vendit tonë. Nuk duhet të votohemi si e keqja më e vogël por duhet të votohemi si alternative më e mirë dhe programi më i mirë qeverisës për qytetarët.
Pyetje: Sa optimist jeni me kandidatin që keni përballë, duke pasur parasysh edhe situatën në të cilën gjendeni me problematikën brenda PD-së. Sa optimist jeni?
Hoxha: Vora është një vatër e nxehtë në çdo zgjedhje që janë zhvilluar. Për sa i përket kandidatit që unë kam përballë me thënë të drejtën nuk i di as emrin kandidatit që ka PS, pasi Vora është simbol i krimit të Edi Ramës, pasi ka ndryshuar 5 kryetarë bashkishë në 4 vite. Dikush ka ikur nga ligji i dekriminalizimit dhe të tjerë për aferat korruptive që kanë kryer në Bashkinë e Vorës.
Dhe drejtuesi aktual i emëruar nga kryeministri i vendit, në 12 muajt e fundit ka bërë 14.2 milionë euro procedura tenderimi dhe nga këto 10 procedura tenderimi, po të dalësh në terren dhe të shohësh zbatimin e tyre është zero. Dhe ky është një abuzim që bëhet me taksat e qytetarëve të Vorës.
Unë ditën e hënë, e kisha lënë për të premten por duke qënë se ishte ditë e shënuar Bajrami nuk doja ta bëja kurban për ditë Bajrami kryetarin e bashkisë, ditën e hënë do ti drejtohem SPAK për të çuar abuzimet me procedurat e tenderimit që ka bërë kryetari i bashkisë në 12 muaj. Ne kemi bërë një adutim të buxhetit të bashkisë. Tenderi i pastrimit që është bërë në Vorë i ka kushtuar 2.3 milionë euro dhe sot po të dalësh në të gjithë territorin, Vora është qyteti më i pisët që ka në Shqipëri.
E dyta është bërë një procedurë tjetër tenderimi po për pastrimin për një emergjencë 90 ditore dhe është 350 mijë euro.
E treta, zyrat e reja të Bashkisë Vorë pasi nuk ka zyra sot që ne flasim por ka disa ambiente me qira të mara nëpër cepe të qytetit, ka kushtuar 6 milionë euro. Pra si mundet për një bashki si Vora të bëjë një godinë 6 milionë euro.
Këto janë disa nga dosjet që janë, janë 10 dosje që janë përgatitur.
Pyetje: Mendoni se do ta penalizojë dhe do të ndikojë tek ai pasi jemi në kohë fushate.
Hoxha: Unë kam vendosur të çojë para drejtësisë çdo njeri që ka vënë dorë mbi taksat e qytetarëve në Vorë, qoftë i majtë apo i djathtë. Çdo njeri që abuzon me taksat e qytetarëve duhet të japë llogari para qytetarëve. Unë kam besim që SPAK do veprojë do bëjë punën e tij dhe do ta çojë kryetarin e bashkisë ashtu siç ka çuar edhe kryetarë të tjerë të Edi Ramës dhe ky do të shkojë para drejtësisë. Madje i bëj thirrje SPAK të mos veprojë para datës 14 maj që të japi llogari para qytetarëve dhe pasi të humbi zgjedhjet ti drejtohet drejtësisë dhe të japë llogari për 14 milionë eurot që ka abuzuar.
Pyetje: Në këto takimet e vogla që po zhvilloni, e reflektojnë banorët e zonës këtë, çfarë mendimi kanë për kryetarin aktual të bashkisë dhe a e njohin? Pasi ju thoni se nuk ka asnjë impakt.
Hoxha: Qytetarët e Vorës e njohin shumë mirë kryetarin e bashkisë dhe e dinë shumë mirë se nuk e drejton ky bashkinë. E dyta ka një mos pasje informacioni për sa i takon buxhetit të bashkisë, për sa i takon punësimet që janë bërë në Bashkinë Vorë, për sa i takon procedurave të tenderimit, rritjes së taksave që ka bërë kryetari i bashkisë. Po të futesh sot në ëeb-sitin e bashkisë nuk funksionon sot. Vora fatkeqëisht është një bashki e falimentuar po si mund të falimentojë një bashki që ka 1968 biznese VIP dhe të mëdhaja në territorin e saj dhe ka 872 biznese të vogla? Kjo bashki është falimentuar me qëllim nga kryeministri Edi Rama për të përdorur buxhetin e bashkisë për tendera dhe koncensione, për PPP dhe për ta kthyer Vorën në një bashki ‘kçk’ ashtu siç ka qejf kryeministri i vendit.