SYRI TV/ Banorët shtrojnë rrugën me çakull, bashkia: Kanë shkelur ligjin!

Fshati Kurjan në Roskovec është lënë nën harresë nga pushteti vendor, gjë që i ka detyruar banorët të hedhin vetë çakull për të përmirësuar infrastrukturën rrugore. Por për një veprim të tillë, banorët do të përballen me ligjin, pasi bashkia dhe IMT e kanë konsideruar si shkelje.

Për emisionin “Piranjat”, banorët tregojnë se kanë qenë të detyruar të ndërmarrin një veprim të tillë, pasi rruga ishte e pakalueshme.

Banorët e Kurjanit në bashkinë e Roskovecit, të lodhur nga dëmtimet dhe vështirësitë e rrugës kryesore të pashtruar dhe ku ata kalojnë çdo ditë, kanë vendosur ta rregullojnë vetë atë rrugë. Ata tregojnë për emisionin “Piranjat” se cilët janë dy personat të cilët kanë kryer investimin, për shkak se rruga ishte e pakalueshme dhe bashkia nuk kishte marrë asnjë masë.

Megjithë këtë, ky veprim i banorëve konsiderohet si shkelje e ligjit nga bashkia e Roskovecit dhe IMT, madje është konsideruar edhe si veprim me prapavijë politike.

Gjatë vitit 2023, bashkia ka premtuar se do të fillojë punimet për shtrimin e një pjese të rrugëve, por megjithëse jemi në muajin prill, nuk ka nisur ende asnjë veprim konkret.