Nesër votim në veri të Kosovës, në mesnatë ka filluar heshtja zgjedhore
Në prag të votimit të zgjedhjeve të jashtëzakonshme lokale në veri të Kosovës, mbrëmë nga mesnata ka filluar heshtja zgjedhore.
Qytetarët me të drejtë vote, në katër komuna në veri të Kosovës; Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, të populluara kryesisht me serbë, nesër, më 23 prill do të shkojnë në vendvotimet për të zgjedhur katër kryetarët e rinj të komunave dhe dy thirrjet e reja të kuvendeve komunale.
Institucionet relevante po vazhdojnë përgatitjet për organizimin dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve në veri, raporton RTKlive.
Në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, për zgjedhjet e 23 prillit, kanë aplikuar disa parti e kandidatë nga partitë politike. Tre janë kandidatët e certifikuar në Mitrovicën e veriut: Betim Osmani nga Iniciativa Qytetare Mitrovica, PDK garon me Taulant Kelmendin si dhe Erden Atic nga Lëvizja Vetëvendosje, shkruajnë mediat vendase. Numri i përgjithshëm i qytetarëve që mund të votojnë nesër është 45.095.
Në KQZ, për zgjedhjet e 23 prillit, kanë aplikuar disa parti e kandidatë nga partitë politike. Tre janë kandidatët e certifikuar në Mitrovicën e veriut: Betim Osmani nga Iniciativa Qytetare Mitrovica, PDK garon me Taulant Kelmendin si dhe Erden Atic nga Lëvizja Vetëvendosje, shkruajnë mediat vendase.
Tre kandidatë numërohen në Leposaviq, Albulena Behluli – Hetemi, Alekandar Jabllanoviq, i cili tani më ka paralajmëruar tërheqjen nga kandidatura e tij, nga Partia e Serbëve të Kosovë dhe Lulzim Hetemi nga Lëvizja Vetëvendosje.
I njëjti numër dhe në Zveçan ku garojnë Ilir Peci nga PDK, Sllagjana Pantoviq – Kandidate e pavarur dhe Fetah Peci nga Lëvizja Vetëvendosje.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur dje se ka ndërmarrë të gjitha veprimet dhe masat në kuadër të mandatit për koordinimin e aktiviteteve, me qëllim të ofrimit të sigurisë dhe mbarëvajtjes së procesit zgjedhor në komunat veriore të Kosovës.
Shumica e 19 qendrave të votimit që do të hapen në veri, do të jenë të vendosura në kontejnerë, pasi struktura të mbështetura nga Beogradi nuk kanë lejuar hapjen e shkollave.
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka bërë thirrje të gjithë kandidatëve nga të gjitha partitë politike që të marrin pjesë, në këtë proces demokratik duke tërhequr vërejtjen se, të gjitha përpjekjet për të penguar mbajtjen e zgjedhjeve përmes kërcënimeve apo përdorimit të dhunës, do të përballen me dënimin e fuqishëm të komunitetit ndërkombëtar.
Lista Serbe ka bërë thirrje për bojkot të zgjedhjeve lokale që janë planifikuar të mbahen të dielën.