Skandali i Blinken me djalin e Biden/ DASH refuzon t'u përgjigjet pyetjeve
Departamenti i Shtetit refuzoi që t’u përgjigjet pyetjeve në lidhje me pretendimet e ngritura nga një ish-zyrtar i CIA-s, se Antony Blinken, Sekretari i Shtetit i Joe Biden, ka udhëhequr përpjekjet në vitin 2020 për të diskredituar lajmin mbi skandalin e laptopit të Hunter Biden.
Blinken orkestroi një fushatë që synonte ta paraqiste lajmin për laptopin e Hunter Biden si pjesë e një fushate të dezinformimit rus.
Plot 51 zyrtarë aktualë dhe ish-zyrtarë të inteligjencës nënshkruan një letër ku theksonin se historia e laptopit të Hunter Biden është një manovër ruse, një pretendim që më vonë rezultoi i rremë.
Komisioni i Gjyqësorit dhe Inteligjencës në Kongresin amerikan tha se sipas dëshirës së ish-nëndrejtorit të CIA-s, Michael Morell, Blinken ishte personi që kishte nxitur nënshkrimin e kësaj letre.
Por një zëdhënës i Departamentit të Shtetit refuzoi që t’i përgjigjet çdo pyetje në lidhje me implikimin e Blinken te kjo letër.
“Kjo nuk është çështje e Departamentit të Shtetit, kështu që nuk kam asnjë koment për këtë,” tha zëdhënësi Vedant Patel.
Kongresi amerikan thotë se Blinken ndihmoi për të mbledhur firmat për letrën e nënshkruar në mesin e tetorit 2020, përpara se Biden të zgjidhej president dhe përpara se Blinken të merrte postin e Sekretarit të Shtetit.
Skandali i laptopit të Hunter Biden doli në dritë nga gazeta NY Post, por u mohua vazhdimisht qoftë nga mediat e majta tradicionale, qoftë nga politika e majtë.
Vetëm para disa javësh, vetë Hunter Biden e pranoi këtë histori si të vërtetë.
Kujtojmë se në laptopin e Hunter Biden shfaqet edhe emri i Dorian Duçkës, këshilltarit të Edi Ramës. Po ashtu, Biden rezulton i lidhur me një kompani kineze, e cila ka sponsorizuar një ekspozitë të Edi Ramës në Hong Kong.