Rumania dhe Polonia heqin ndalimin për grurin ukrainas duke pritur vendimin e BE
Rumania dhe Polonia do t’i lejojnë produktet ushqimore ukrainase të kalojnë nëpër territorin e tyre derisa Komisioni Evropian të vendosë për këtë çështje.
Bukureshti u ka bërë thirrje gjithashtu vendeve të tjera të heqin kufizimet pasi Kievi premtoi të zbatojë masa shtesë sigurie për transportin e produkteve bujqësore.
Kamionët e parë që transportonin produkte ushqimore ukrainase, përfshirë misër dhe vezë, kaluan tranzit përmes Polonisë për në Holandë të premten.
Në mesnatë hynë në fuqi dispozitat për heqjen e ndalimit, i cili u vendos më 15 prill.
Pesë vende të Evropës Qendrore, Polonia, Hungaria, Sllovakia, Rumania dhe Bullgaria, vendosën ndalime të importit nga Ukraina këtë javë.
Ata thanë se e bënë këtë për të mbrojtur fermerët e tyre për të cilët thonë se janë goditur nga importet e tepërta bujqësore ukrainase që kanë ulur çmimet për prodhuesit vendas.
Komisioni Evropian do të vazhdojë bisedimet javën e ardhshme me vendet fqinje me Ukrainën, të cilat kohët e fundit janë përballur me një “përmbytje” gruri.
Ndërkohë, Polonia dhe Rumania kanë rënë dakord të vazhdojnë të lejojnë drithërat nga Ukraina të hyjnë në vendet e tyre.
"Ne jemi korridori kryesor i solidaritetit për grurin ukrainas që organizuam, do ta mbajmë dhe (do) ta ruajmë për respekt për popullin ukrainas," shpjegoi ministri rumun i Bujqësisë, Petre Daea.
"Ne jemi në solidaritet me fermerët nga vendet e tjera - Polonia, Hungaria, Bullgaria dhe Sllovakia - pasi ata janë në solidaritet edhe me ne dhe me fermerët ukrainas, por ne duhet t'i vendosim rregullat së bashku," shtoi Daea.