Paralajmërohet Policia Rilindëse e Krimit

Policia e Shtetit u deklarua sot kundër protestës opozitare të lajmëruar për të hënën, 24 prill. Duke u varur në gozhdën e sigurisë publike apo të së drejtës për qarkullim të palëve të treta, Policia e Shtetit edhe kërcënoi me ndalim të protestës a ndjekje penale të pjesëmarrësve edhe bëri thirrje për mospjesëmarrje në këtë protestë.

Protesta opozitare është deklaruar se do jetë paqësore siç kanë qenë paqësore të gjitha më parë, edhe ajo e 18 shkurtit edhe këto 65 ditë në Çadrën e Lirisë. Ndaj s’ka fare vend për alarm policor. Bllokimi i paralajmëruar për 1 orë e disa segmenteve rrugore nuk shkakton dëm asfare më shumë se ç’kanë shkaktuar bllokimet e shpeshta, vend e pa vend, më së shumti pa paralajmërim, që ka bërë Rilindja këto vite në pushtet. Ndaj, s’ka fare vend për shqetësimin policor për palët e treta.

Me këtë deklaratë, Policia e Shtetit u vetëdemaskua e doli siç është katandisur tashmë, vegël e verbër dhe e bindur e Rilindjes së kriminalizuar dhe Krimit në pushtet.

Natyrisht që nuk përfshihen në këtë katandisje, me bindje, mendje e shpirt, armata 10-të mijëshe e policëve. Këta janë pjesë e Policisë Normale të Shtetit por që sot është tulatur, shndërruar në turmë amorfe, që merr forme, lëviz e vepron sipas komandës së Policisë Rilindëse të Krimit, pjesëtarët e së cilës kanë zënë pikat kyçe në drejtimin e lartë e të mesëm ndërsa keqpërdorin një bazë disa qindëshe policësh të rinj të rekrutuar mbi kritere politike e disa qindra bashibozuke të tjerë të mbetur prej kohësh në strukturat policore.

Policia Rilindëse e Krimit është ndër projektet kryesore, i zbatuar tashmë, i Rilindjes së kriminalizuar dhe Krimit në pushtet. Kjo polici u ngrit mbi tre shtylla: kriminalizimi; militantizimi; universalizimi; ndërsa u propagandua shfrenueshëm e rrejshëm mbi arrijet e papara në 25 vite.

Kriminalizimi filloi me kthimin ne polici të shumë individëve të përjashtuar më parë për lidhje të vërtetuara apo mbi dyshime të arsyeshme me krimin edhe nga qeveria e mëparshme socialiste; vijoi me rekrutimin e policëve të caktuar ekzistues apo rekruteve të rinj në mikrostrukturat e brendshme policore, struktura u krijuan me shpejtësi e me komunikim vertikal me qendrën, të lidhura me banda e caktuara kriminale sipas territoreve dhe aktiviteteve, në luftë me banda të tjera jashtë këtyre lidhjeve. Kjo tërësi mirkostrukturats, të lidhura mes tyre mori me shpejtësi pikat kyçe të komandës dhe arriti të vepronte me shumë sukses veçanërisht në vitin 2016 të kanabizimit masiv në prodhim dhe trafikim.

Me dhjetra ngjarje të njohura për publikun deduktojnë në këtë përfundim. Sa për ilustrim, kujtojmë rastin e trafikimit të 8 ton kanabis që lëvizi i pashqetësuar nga Qafë-Thana në Durrës, duke devijuar destinacionin paraprak për në Han të Hotit, në kujdesin e mikrobandave brendapolicore sipas udhëzimeve qëndrore, u kap në Itali dhe u përgënjeshtrua aty-për-aty nga Policia e Rilindur e Krimit.

Militantizimi filloi me propagandën e shfrenuar për rilindjen e policisë – rilindje në bindje, peshë, gjatësi e gjini - që u ushqye me rekrutim masiv, në përmasat e Pallatit të Kongreseve, në bazën e policisë, të shumë të rinjve trushpëlarë e me orientim politik kryesisht të majtë, ndihmuar edhe nga nevoja masive e akute për punë. Kjo armatë të rinjsh u indoktrinua, u vesh e u mbath me ca uniforma shumëngjyrëshe, u pajis me motoçikleta a makina te reja, me kamera e pipa alkooli, u lëshua rrugëve për të vënë gjoba, shkelmuar pras e tranguj a për të sfiluar në parada mode policore. Diçka  ngjashme është bërë me disa qindra të rinj të punësuar në shtojca strukturore ad-hoc të administratës tatimore apo të Ministrisë së Punëve të Brendshme e që po futen në çdo shtëpi e biznes për të marrë të dhëna për përdorim elektoral, kamulfluar si për përdorim ligjor e shtetëror.

Mbi bëmat e këtyre rioshëve rilindës, veshur tepdil policë, me sjellje si detashmentet rinore të kohës së revolucionit kulturor kinez, tregohen me dhjetra ngjarje, por momenti më kulmor është ai i përcjelljes me pankarta e selfie dashurore të Saimir Tahirit kur këtë e larguan nga kreu i Policisë Rilindëse të Krimit për kamuflazh politik.

Universalizimi filloi me slloganin “Një Shtet një Polici”; vijoi me përshirjen e policisë, ca me ligj e së shumti me maliq, në funksione administrative gjithfarëlloj: edhe polici pyjore edhe polici vendore, edhe inspektorat elektrik edhe ujor, a mjedisor, ndërtimor, shëndetësor, kulturor, bujqësor, ushqimor, ndërsa nuk preken e vijojnë të ekzistojnë njëherazi të gjitha inspektoratet përkatëse, apo 13 policitë që numëronte Edi Rama para zgjedhjeve 2013.

Rilindja tentoi me ligj përfshirjen e policisë në sferën e kompetencës ekskluzive të prokurorisë apo ngritjen e Byrose Kombëtare të Hetimit si një hetuesi/prokurori me vete dhe ekskluzive në shërbim të Rilindjes së kriminalizuar dhe Krimit në pushtet por, fatmirësisht, ky projekt u bllokua me nisma opozitare dhe vendime të Gjykatës Kushtetuese. Megjithatë, nuk hoqën dorë dhe e zbatuan pjesërisht e në mënyrë informale, siç ishte rasti i përgjimeve të një viti më parë.

Projekti i Policisë Rilindëse të Krimit u mbështet me propagandë të shfrenuar mbi bëmat e papara në luftën kundër krimit, drogës, antiligjit. Shfrenimi rrihej shumëfish, sa ç’ishin dështimet. Nuk munguan në këtë propagandë edhe karagjozllëqe të tilla si: “falë punës së policisë ranë rastet e vjedhjeve “ e, në një tjetër moment kur këto rriteshin, në raport thuhej “falë punës së policisë u evidentuan më shumë raste të vjedhjeve”. I njëjti stil për vrasjet, plagosje, drogën etj.

***

Policia Rilindese e Krimit u deklarua sot kundër protestës paqesore të opozites, neser me 24 prill. Ajo autorizoi drejtuesit e saj në qarqe të veprojnë me mjete policore dhe bëri thirrje për mospjesëmarrje në protestën opozitare.

Po sot, Opozita e paralajmeroi Policinë Rilindëse të Krimit se me fuqinë e protestuesve paqësore do të zbythë çdo përpjekje e do mbajë shënim çdo veprim të eksponentëve të kësaj policie ndërsa i bëri thirrje armatës 10-mijëshe të policëve të Policisë Normale të Shtetit të mos implikohen me Policinë Rilindëse të Krimit që po jep shpirt bashkë me Rilindjen e Kriminalizuar dhe Krimin në Pushtet. /SYRI.net/