Dëshmia ‘bombastike’ në SHBA: Biden po manipulon hetimet për të birin

Një agjent special i Shërbimit të të Ardhurave të Brendshme në SHBA, ka bërë një deklaratë ‘bombastike’, e cila do të trazojë rëndë ujërat politike në Amerikë. Shërbimi i të Ardhurave të Brendshme, i njohur edhe si IRS, është agjencia përgjegjëse për taksat në SHBA.

Kurse agjenti special ka kërkuar përmes avokatit të tij të marrë statusin e personit të mbrojtur për të bërë dëshminë e plotë përpara anëtarëve të Kongresit amerikan.

Agjenti thotë se administrata e presidentit Joe Biden ka manipuluar hetimet që po bëhen nga IRS për Hunter Biden, djalin e diskredituar të kreut të shtetit amerikan.

Në një deklaratë paraprake, avokati i agjentit special tha se klienti i tij ka informacione se hetuesit nuk kanë arritur të kufizojnë konfliktin e interesit për këtë rast, madje dyshohet se kanë lejuar trajtim preferencial. Në deklaratë thuhet se politika ka ‘infektuar’ vendimet dhe protokollet që zakonisht ndiqen për zbatimin e ligjit.

Shtëpia e Bardhë ka reaguar duke thënë se hetimi për djalin e Biden janë duke u zhvilluar pa asnjë interferencë politike.

Hunter Biden është nën hetim federal për çështjen e taksave që nga viti 2018. Ndaj tij nuk është ngritur akoma asnjë akuzë.

Ndërkohë në dritë ka dalë edhe skandali i lidhjeve të Hunter Biden me një kompani kineze, nga e cila ka marrë miliona dollarë familjarisht.

Kompania kineze quhet CEFC dhe është edhe në qendër të aferës Edi Rama-Charles McGonigal. Kompania përmendet në padinë e ngritur në SHBA ndaj McGonigal.

Aty thuhet se këshilltari i Edi Ramës, Dorian Duçka është i punësuar me këtë kompani. Ndërkohë, CEFC ka sponsorizuar edhe një ekspozitë të Edi Ramës në Hong Kong.

Kryetari i Komisionit për Mbikëqyrjen dhe Përgjegjshmërinë në Kongresin amerikan, James Comer, tha se përpjekjet e administratës Biden për të bllokuar përpjekjet për ngritjen e padive ndaj Hunter Biden janë thellësisht shqetësuese.

“Nga hetimet tona rezulton se Hunter dhe anëtarë të tjerë të familjes Biden janë angazhuar në skeme mashtruese të dyshimta biznesi, duke shmangur hetimin teksa bënin miliona nga kundërshtarë të huaj si Kina,” tha kongresmeni.