Publikohet VIDEO tronditëse e vrasjes së biznesmenit Ardian Nikulaj

Publikohen pamje nga momenti tronditës i vrasjes së biznesmenit dhe politikanit Ardian Nikulaj në Shëngjin të mërkurën, krim që akoma vijon të mbetet pa autor.

Sikurse duket në këto video, autori futet qetësisht në lokal dhe fillimisht e përshëndet biznesmenin, ndërsa më pas e qëllon me armë disa herë duke e lënë Nikulajn të vdekur në vend. 

Autori del me vrap nga lokali dhe me më pas me një motor me targa të huaja largohet nga vendi i ngjarjes. 

Vrasësi e priti Nikulajn 1 orë
Vrasësi e priti biznesmenin Ardian Nikulaj për mbi një orë. Kamerat e sigurisë në zonën ku ndodhi vrasja e kanë fiksuar atë duke qëndruar përballë lokalit të Nikulajt, në Shëngjin. Sapo e ka parë të ulet, autori është futur brenda në lokal dhe i është afruar duke i zbrazur karikatorin e pistoletës TT.

Më pas ai u largua me të njëjtën motoçikletë me të cilën kishte ardhur. Gjurmët e tij arrijnë deri në Gjadër.

Policia ka kontrolluar disa banesa dhe ka shoqëruar disa persona për t’i marrë në pyetje, por dëshmitë e tyre nuk kanë qenë ndihmesë për hetuesit. Kontrolle janë kryer dhe për gjetjen e motoçikletës që përdori autori, por as ajo nuk është gjetur.

Shpresat më të mëdha mbeten te kamerat e sigurisë, por maskimi i vrasësit me maskë anti-Covid, skafandër dhe veshja fosforeshente e bën thuajse të pamundur identifikimin e tij. Prokuroria dhe policia kanë dyshime se bëhet fjalë për një vrasës me pagesë, por deri tani nuk është përjashtuar asnjë pistë hetimore.

Viktima ishte një emër i njohur në qytetin e Lezhës, si biznesmen dhe për shkak të përfshirjes në politikë. Ai ishte anëtarë i Këshillit Bashkiak të Lezhës dhe kandidonte sërish për të njëjtin pozicion në zgjedhjet e 14 Majit, nën siglën e Partisë Socialdemokrate.