Kaprata: E kisha 'ngrënë' propagandën e Ramës se nënkalimi në qendër ish i pamundur, falë Këlliçit kuptuam të kundërtën

Gentian Kaprata urbanist, nisi bisedën e tij në studion e 'Kafe Shqeto' në Syri Tv, me përfundimin se Tirana aktualisht përsa i përket urbanistikës dhe jo vetëm është në gjendjen më të keqe që mund të ketë qenë ndonjëherë:

Tirana sot është në gjendjen më të keqe që ka qenë ndonjëherë dhe nëse nuk ka një ndryshim të fortë pushteti, po them pushteti se duke njohur mundësinë e Belind Këlliçit ‘Bashkë Fitojmë’ mendoj dhe besoj se ndryshimi do jetë shumë i ndjeshëm që në vitin e parë të qeverisjes, dhe  nuk jam duke folur vetëm në dimensionin fizik por në shumë dimensione, ekonomik, social dhe gjithë impaktet e tjera.

Pyetur se çfarë se do thotë për një urbanist profesionist, kur propozimi i tij merret parasysh, për një projekt kaq gjigand, Kaprata u përgjigj:

Për mua dhe jo vetëm për mua se jemi pesë a gjashtë ekspertë, kjo ka një vlerë të jashtëzakonshme, duhet të kuptonin që eskpertiza në Shqipëri është pjesë që ndihet më keq, në këtë kuptim nëse një ekspert shikon që puna e tij po zbatohet është një fitore e madhe sepse shohim një gjë që funksionon.

E ndërsa në lidhje më zgjidhjen e përhershme të trafikut në kryeqytet, me ndërtimin e një nënkalimi në sheshin Skëndërbej, propozuar nga Belin Këlliçi, Kaprata u përgjigj se dhe vetë dikur e kishte të vështirë të besonte se ky nënkalim ishte i mundur, kjo për shkak të propagandës së bërë nga kryeministri dhe Erion Veliaj:

Kjo zgjidhje në fakt pa dashur të bëj humor, ka nisur 9 mijë vjet më parë, me qytetin e parë të gjetur ndonjëherë diku në Turqi, ai qytet i para 9 mijë vjetëve përdorte nëntokën për të varrosur të parët por brenda banesës. Ideja ka evoluar patjetër dhe pas revolucionit industrial kur filloi ndërtimi të hynte në një nivel tjetër u kuptua që nëntoka është shumë e rëndësishme. Unë që nga viti 2010 i kam mëshuar shumë kësaj teorie, teoria e shfrytëzimit të nëntokës. Filozofia e përdorimit të nëntokës është e nevojshme në Shqipëri dhe sidomos në Tiranë.

Kjo do të nënkuponte që 90 përqind e makinave që i afrohen asaj hinkës që ngushtohet në sheshin Skëndërbej, do hynë në nënkalim dhe vetëm 10 përqind do futen në kryqëzime.

Duhet të kuptojmë  që qendra e Tiranës ka qenë një nyjë trafiku që kur është krijuar Tirana, mirëpo në kohën e socializmit Tirana kishte vetëm 7000 makina, ku shumica e tyre ishin thjeshtë makina transporti që nuk hynin fare aty, aty kalonin vetëm makinat e Byrosë. Ideja është kjo, sheshi Skëndërbej në kuptimin e transportit funksionion si një zemër që pulson gjakun, nga ku dalin gjithë degët e tjera. Unë kisha heq dorë nga sheshi Skëndërbej prej vitesh, që kur filloi Rama 'o do ta prish këtë o s'ka', dhe arrita në përfundimin që kjo nuk bëhet më, dhe pikërisht prej këtij parkimi dhe kubeve të betonit. Pikërisht për shkak të këtij parkimi, ideja nuk zbatohej më, mirëpo me këmbënguljen e zotit Këlliçi ne shkuam në terren dhe bëmë matjet, morëm vesh që parkimi nuk ishte gjë tjetër vecse ¼ e gjithë sheshit të betonuar, pra sipërfaqja mjafton për këtë tunel nëntokësor, madje dhe katër të tjerë. Ishte thjesht një propagandë dhe unë  e kisha 'ngrënë' propagandën që ky nënkalim nuk bëhej për shkak të këtij parkimi.