'Kush nuk vjen, ikën nga puna'/ PS kërcënon mësuesit, mediat nuk lejohen të filmojnë takimin

Mësuesit që refuzojnë të marrin pjesë në takimet elektorale të Partisë Socialiste kërcënohen me largim nga puna.

Denoncimi është bërë nga kandidati demokrat i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Bashkinë e Rrogozhinës, Shkëlqim Hoxha, i cili ka publikuar edhe mesazhet që vërtetojnë presionet dhe kërcënimet ndaj mësuesve.

Qytetari që ka sinjalizuar kandidatin Hoxha shkruan se të gjithë punonjësve të administratës po u bëhet presion i jashtëzakonshëm.

Sipas Hoxhës, këto janë manovra mjerane që do të përballen me ligjin.

News24 ishte ne kinemane e qytetit të Rrogozhinës gjatë kohës që po zhvillohej mbledhja me mësuesit, por operatori i tyre u nxor forcërisht jashtë, me pretendimin se nuk ishte i ftuar për të marrë pjesë në takim.

Postimi i plotë:

❌ Asnjë manovër mjerane nuk ju shpëton nga humbja e thellë e 14 Majit!‼

Në vend që të interesohen për mbarëvajtjen e mësimit në shkolla, në vend që të sigurojnë minimumin e kujdesit për arsimin duke filluar nga ngrohja dhe pajisjet shkollore, këta zgjedhin t’i bëjnë presion mësuesve duke i grumbulluar në kinemanë e qytetit.

🛑 I bëjmë thirrje arsimtarëve dhe të gjithë të punësuarve të tjerë në Bashkinë e Rrogozhinës të ngrihen në lartësinë që u takon dhe të mos bien pre e presioneve dhe kërcënimeve.

#BashkëFitojmë