INTERVISTA/ Agron Loka sjell idetë dhe përvojën e çmuar nga Italia: Gjithçka për turizmin në Krujë!

Intervistë me z. Agron Loka, kandidat i koalicionit “Bashkë fitojmë” për bashkinë e Krujës, nga gazetarët Flavio Qarri dhe Ola Bregu sot në emisionin “Kafe Shqeto” në SYRI TV.

Loka: “Kam fituar një eksperiencë të jashtëzakonshme në menaxhim, që e krahasoj sa për dy fakultete për ato që kam marrë nga emigracioni, nga një shtet social si Italia.”

"Kruja është kryeqyteti i Shqipërisë. Ka resurse turistike pa fund, jo vetëm Muzeun Historik, po edhe një histori shenjtoreje siç është Sari Salltiku, ku mund të zhvillohet turizmi malor, fetar; ka Qafë Shtamën...”

“Ne do të bëjmë gjithçka në shërbim të turizmit! Turizmi në Krujë do të jetë prioriteti i mandatit tonë 4-vjeçar”. 

“Pikë kryesore e programit, zyrë konsulence juridike falas për qytetarët, fermerët, biznesin”

“Kruja është lënë për “çud të Zotit”. Përkushtimi unë i madh, realizimi i projektit të ish-kryeministrit Berisha i vitit 2013, i lidhjes së rrugës së malit me Tiranën”.

 "Synimi im, të ndërtoj një administratë model, një administratë model në Krujë në shërbim të qytetarëve."

Kafe Shqeto: Z. Loka, Kruja sikur është larguar, i ka ndodhur ndonjë ndryshim, ndonjë distancim nga Tirana?

Agron Loka: Nuk është ndonjë distancim nga Tirana, por ajo që vuan sot është qeverisja e këtyre viteve të Rilindjes, e cila është e larguar plotësisht nga qytetari në tetë vite.

Kafe Shqeto: Keni pasur një frymëzim tuajin, një vizion tuajin që ju ka bërë të angazhoheni në këtë fushatë?

Agron Loka: Patjetër që kam një vizion. Vizioni im është i ndërthurur fort me kërkesat, me problematikat, me shqetësimet që kanë bashkëqytetarët e Krujës,  i ndërthurur fort dhe ngushtë për zgjidhjen e këtyre problemeve dhe halleve që kanë qytetarët  e Krujës, të Fushë Krujës, të Thumanës, Niklës, Bubqit, malësisë e kështu me radhë e të gjithë komuniteteve që përfaqësohen në bashkinë e Krujës.

Kafe Shqeto: Ju vini me një mentalitet biznesmeni z. Loka, zakonisht, menaxherial, pra keni një problem dhe mendoni se si ta zgjidhni atë.  Cilat janë disa nga pikat që do të kenë impakt të drejtpërdrejtë nga 15 maji e tutje, në rast të fitores suaj?

Agron Loka: Ne jemi koshientë, dëshmitarë të regjimit të Ramës që i shkatërroi dhe i plaçkiti financat tona, i cili  shkatërroi institucionet dhe shërbimet, i cili shkatërroi dhe shpopulloi vendin. Patjetër që edhe Kruja është prekur nga emigrimi i të rinjve. Por nuk mjaftoi vetëm shpopullimi, por agresioni, armiqësia që ai tregoi kundër opozitës për ta asgjesuar, pluralizmit politik për të cilin populli ynë ka sakrifikuar shumë bij dhe bijat e tij, të sakrifikuar për demokraci, liri, besimin në Zot dhe atdheu.

Ne sot dalim me një program konkret për bashkinë e Krujës, një program konkret i cili lind nga bashkëbisedimet, nga takimet që ne kemi, dëgjesat që kemi pasur lagje më lagje, fshat më fshat në bashkinë e Krujës. Kemi ndërtuar një program, objektivat e të cilit janë reale dhe të realizueshme. Motiv i këtij programi është qasja sa më afër në shërbim të bashkëqytetarëve.

Kafe Shqeto: Ju keni jetuar një pjesë të mirë të jetës suaj jashtë vendit, në Itali. Cila ishte arsyeja që jua ndryshoi mendjen dhe u solli sërish në vendin tonë?

Agron Loka: Pyetje shumë e drejtë. Unë kam një ndjesi shumë patriotike dhe atdhetare për vendin tim dhe kjo dashuri për vendi tim, dashuria për njerëzit e mi më ka mbajtur gjithmonë të lidhur me vendin tim, me kokën mbrapa. Kam përfituar një eksperiencë të jashtëzakonshme në menaxhim, një eksperiencë që ia vlen ta them, unë kam mbaruar për matematikë, por e krahasoj sa për dy fakultete për ato që kam marrë nga emigracioni, nga një shtet si Italia, një shtet shumë social, që njeh parlament, njeh senat para Krishtit. Ndjesia, duke qenë shumë social, më ka afruar edhe tek politika, edhe tek vendi im, për t’i shërbyer vendit time me sa mundësi, forca të kem.

Kafe Shqeto: Një pjesë e atraksioneve kryesore të Italisë kanë ngjashmëri me Krujën, shumë prej tyre ndodhen nëpër kodra, edhe qytetet bregdetare janë ngritur në të njëjtin pozicion gjeografik si Kruja. A keni ju disa zgjidhje konkrete të këtyre problematikave për ta bërë menjëherë Krujën që të kthehet në hartën e atraksioneve të nxehta turistike, a do të jetë turizmi një nga qëllimet tuaja kryesore?

Agron Loka: Patjetër. Kruja është kryeqendra e historisë së Shqipërisë; jo vetëm e Shqipërisë, por edhe e rajonit. Për fat të keq, gjatë gjithë qeverisjes së Rilindjes, Kruja është lënë në harresë, Kruja është shkatërruar dhe me largimin e institucioneve  ka marrë edhe goditjen e fundit. Krujës i ka humbur dinjiteti e ne duhet t’i kthejmë dinjitetin Krujës. Me Krujën identifikohej dikur, po jo vetëm dikur, identifikohet Shqipëria.  Ky është kryeqyteti i Shqipërisë.  Të krahasojmë qytetin e Krujës me qytete historike të Italisë, janë si nata me ditën. Për fat të keq, Kruja është kthyer në një provincë të harruar , të shkatërruar, infrastruktura është lënë në harresë. Për infrastrukturën, bashkia kujtohet vetëm në fushatë elektorale.  Çdo ditë ka asfalte elektorale, për të cilat e dimë fare mirë se si veprohet dhe si procedohet me asfaltet elektorale që janë abuzim në cilësi, abuzim në kosto, abuzim në çdo drejtim dhe mbi të gjitha, abuzim me taksat e qytetarëve. Kjo është shumë e rëndësishme.

Kruja ka resurse pa fund turistike. Jo vetëm Muzeun historik, Kruja ka dhe një histori shenjtoreje që është Sari Salltiku ku mund të zhvillohet turizmi malor, fetar, për aktivitete dhe festat fetare. Një vend që vizitohet nga e gjithë bota, Sari Salltiku. Po ashtu, Qafë Shtama, një vend turistik, ku infrastruktura… Ne do të bëjmë gjithçka në shërbim të turizmit, por turizmi në qytetin e Krujës do të jetë prioriteti i mandatit tonë 4-vjeçar. 

Kafe Shqeto: Ju jeni shprehur se pas 14 majit do të bëni ndryshime rrënjësore nëse vini si kryetar i bashkisë së Krujës. Cilat do të jenë këto ndryshime që do të sjellin rritjen e mirëqënies së qytetarëve krutanë?

Agron Loka: Gjithçka fillon nga “koka”, fillon nga institucioni. Ne do të punojmë fort me programin që kemi, do të ndërtojmë një administratë që t’i shërbejë qytetarëve, që të jetë pranë qytetarëve, një administratë që paguhet nga qytetarët dhe që t’i përgjigjet në çdo kohë dhe në çdo orë qytetarëve.

Ky do të jetë prioriteti numër një, duke qenë se shërbimi në këto tetë vite siç e thashë më përpara, bashkia është e larguar nga qytetarët, qytetarët janë lënë në harresë. Ne do të ndërtojmë gjithçka për qytetarët për të qenë sa më afër tyre, në çdo lagje, në çdo fshat, në çdo njësi administrative duke filluar që nga drejtuesit që do të jenë profesionistë në fushat që do të drejtojnë e kështu me radhë deri tek nëpunësi më i thjeshtë në njësitë administrative.

Një nga pikat e programit është edhe hapja e një zyre konsulence juridike për qytetarët, një zyrë konsulence falas që do të shërbejë për qytetarët, fermerët, biznesin... Sepse ne kemi parë që një fermer apo një biznesmen i vogël familjar nuk e ka ekspertizën për të qenë online. Abuzohet masivisht,  është abuzuar masivisht sepse janë anashkaluar me të vërtetë ata fermerë hallexhinj. Jo “janë skaduar afatet”, jo “mungon ky dokument” etj. etj. Ne do të ndërtojmë një zyrë konsulence për cilindo që të trokasë, për cilindo problem a shqetësim, për ta zgjdihur sa më shpejt. Ky do të jetë prioritet yni në 4-vjeçarin e ardhshëm.

Kafe Shqeto: Hyrja në qytetin e Krujës ka mbetur  “horror” si para 20 vjetësh, një nga rrugët e vetme që nuk ka ndryshuar. A keni një plan për hyrjen në qytetin e Krujës?

Agron Loka: Infrastruktura është prioritet për të arritur, për të lidhur dhe për të bërë të mundur aksesin për zhvilllimin e bashkisë së Krujës, ardhjen e turistëve, që të arrijmë ta kthejmë Krujën në një turizëm. Kruja është kthyer në një turizëm tremujor, ku turistët nuk qëndrojnë më shumë se 24 orë për faktin se nuk kanë mundësi, nuk u janë krijuar kushtet, nuk afrohet asgjë, as turizëm malor, asnjë lloj turizmi. Nuk është punuar fare, është lënë në harresë. Absolutisht, asnjë mbështetje për turizmin, asnjë subvencion, asnjë përkrahje. Edhe rruga që lidh Krujën me të gjithë qytetet e e tjera duke filluar nga Fushë Kruja, e vetmja rrugë që është, është lënë… Është “për çud të Zotit”, siç i themi ne me fjalën popullore, “për çud të Zotit”! Se aty kalojnë kamionë, janë dhe gurorët përreth, kështu që në projektin tonë është edhe rehabilitimi i rrugës së Krujës. Por një nga mbështetjet kryesore - që nuk është kompetencë e bashkisë - është insistimi, kërkesa e vazhdueshme, përkushtimi i madh që të jetë bashkia edhe në realizimin e një projekti të lënë në sirtar që prej 2013-ës kur ishte në programin e PD-së, të lidhjes së rrugës së malit me Tiranën, kështu që do të insistojmë dhe punojmë fort që ai projekt të realizohet me ardhjen e qeverisë të PD-së në pushtet, se është një projekt i ish-kryeministrit Sali Berisha në 2013-ën, kështu që ne do të bëjmë të pamundurën që ai projekt të realizohet, dhe është një zgjidhje për qytetin e Krujës.

Kafe Shqeto: Kalojmë tek kundërshtari juaj, tek z. Bushi që kandidon për mandatin e tretë. Nuk është se ka rekord të mirë, madje ka dhe disa probleme me drejtësinë. A keni insistuar që të keni një përballje programesh, a keni kërkuar një debat publik me kundërshtarin tuaj nëse krutanët do ta donin një diçka të tillë?

Agron Loka: Unë jam i gatshëm në çdo moment të jem në përballje publike për programin, për problematikat, shqetësime të Krujës, të bashkëqytetarëve të Krujës, të të gjithë bashkisë duke përfshirë njësitë administrative. Jam i gatshëm të përballem në çdo studio televizive apo ambient publik për problematikat që kanë, shqetësimet që kanë qytetarë. Jo, nuk e kam pasur një kërkesë të tillë, por unë jam i gatshëm, i bëj dhe thirrje publike që në çdo moment jam i gatshëm për debat publik

Kafe Shqeto: Z. Loka, si po ecën kjo fushatë në gjykimin tuaj, deri në momentet që flasim? Anët pozitive, anët negative, duke u ndalur tek atentatet që kanë ndodhur, tek shpërndarja e pakove ushqimore.

Agron Loka: E dimë fare mirë që bashkia e Krujës është një territor shumë i nxehtë për sa i përket fushatave. E kanë treguar dhe vitet në kalim dhe mbetet gjithmonë një territor i nxehtë për fushatat për vet… Zona e Fushë Krujës ka qenë gjithmonë në kronikat e zeza dhe ne po punojmë shumë; me projekte e programe, me vizionin që kemi, do të bëjmë gjithçka për të kthyer sigurinë, qetësinë, tek të gjithë bashkëqytetarët e Krujës, të Fushë Krujës e kështu me radhë.

Për fat të mirë në historinë e pluralizmit ne zhvilluam dhe primaret. Unë jam kandidat i dalë nga primaret, plot katër muaj që kam dalë si kandidat dhe për herë të parë ne kemi pasur kohë ta fillojmë fushatën herët, pavarësisht se këta kanë 8 apo 10 vite që janë në fushatë, se janë në pushtet, po ne kemi fatin që në këto zgjedhje të fillojmë fushatën herët. Kështu që gjatë diskutimeve, gjatë bashkëbisedimeve, takimeve të vazhdueshme që kam me individë, bashkëqytetarë, me grupe interesi, ndryshimi është i nevojshëm. Kjo na bën optimistë dhe me bindje të plotë që bashkinë e Krujës do ta fitojmë, që bashkia e Krujës do të drejtohet nga demokratët, do të drejtohet nga qytetarë, do t’i kthehet qytetarëve. Kjo është e padiskutueshme.

Kafe Shqeto: Një kuriozitet z. Loka. Më 14 maj fitoni zgjedhjet, më 15 maj hyni në zyrë, cila është gjëja e parë që do të bëni?

Agron Loka:  Unë do të jem kryetari i ardhshëm i të gjithë qytetarëve, do të jem kryetari i demokratëve, kryetari i socialistëve, i qendrës, i komunitetit rom dhe egjiptian, i të gjithëve komuniteteve që përfshihen në bashkinë e Krujës. Duhet të ketë një përbashkim. Betimi im është që unë do të ndërtoj një administratë model, një administartë model në shërbim të qytetarëve. Janë individët, nuk është se nuk janë, po do të ndërtojmë një administratë model për bashkinë e Krujës.

Ne kemi një pikë në programin tonë për diasporën, është një pikë e fortë që diasporën do ta bëjmë pjesë të bashkëqeverisjes së bashkisë së Krujës. Kemi shumë figura, burime njerëzore që janë larguar ndër vite për problematika të ndryshme, një jetesë më të mirë etj. dhe ne do ta bëjmë pjesë të bashkëqeverisjes edhe diasporën!./ar.sh/SYRI.NET

Ndiqni intervistën e z. Agron Loka në studion e Kafe Shqeto në SYRI TV.