‘Kurrë më mbrapa, vetëm për para’/ Shqipëria e Ramës si Guajakili
Pamjet e ekzekutimit të biznesmenit dhe politikanit Ardian Nikulaj nuk i ngjajnë askurrkund një vendi evropian.
Nëse dikush do e shihte atë foto të momentit të krimit, do mendonte se është Kolumbia, Peruja apo më keq, Ekuadori i zhytur në një spirale dhune falë bandave shqiptare.
Kryeqendra e krimit është bërë qyteti i Guajakilit, ku sipas Financial Times, po përplasen për kontroll kartelet shqiptare me ato meksikane.
Nëse bandat shqiptare ia kanë dalë të zhysin në kaos një vend të largët dhe të madh si Ekuadori, prej kohësh Shqipëria e Edi Ramës është një Ekuador në mes të Europës.
Krimi sundon me terror, kurse dhuna është bërë e zakonshme.
Ekzekutimi në mesin e ditës në një resort turistik i një politikani ishte kulmi i një serie krimesh që kanë tronditur vendin gjatë kësaj pranvere. Momenti i vrasjes dhe ai i largimit të ekzekutorit me një motorr kanë ngjitur shumë reagime.
Por nuk kanë munguar edhe memet si një ironi e zezë në këto ditë kaq të errëta. “Kurrë më mbrapa, vetëm për para,” thuhet në njërën prej tyre, si një fakt i pamohueshëm se krimi është fytyra kryesore e kësaj qeverisje.