Gazetari zbulon provat: Ja si manipulohet buxheti i sportit te K.F Sopoti i Librazhdit
Një ekip model në organizim dhe funksionim, është padyshim ekipi i Sopotit të Librazhdit që militon në Kategorinë e Dytë.
Kjo skuadër prej disa sezonesh ka synimin për t’u ngjitur një kategori më lart, por pavarësisht shpenzimeve ky objektiv nuk është arritur.
Dhe këtë edicion ku librazhdasit janë ende në garë për të arritur objektivin, Kategori e Parë, drejtuesit “shpikin” probleme financiare duke krijuar përçarje te lojtarët.
Të mërkurën e javës së shkuar lojtarët para seancës stërvitore thirren në një mbledhje me administratorin e klubit Andri Çota, ku vihen në dijeni, se nuk kishte buxhet pasi kishte bërë disa pagesa të paplanifikuara, dhe për këtë arsye kishte menduar që lojtarëve vendas t’u përgjysmohej rroga e muajit mars.
Futbollistët revoltohen duke bërë habi se përse do duhej të bëhej “kurban” vetëm rroga e lojtarëve vendas dhe jo e të gjithëve?
Por pavarësisht ndarjes, bien dakord për t’u bërë bashkë dhe për të bojkotuar ndeshjen e radhës nëse paga nuk do t’ju kalonte e plotë.
I vënë në presion nga lojtarët administratori Çota detyrohet t’ju kalojë shumicës së lojtarëve pagat e rregullta duke përjashtuar nga pagesa vetëm 2 lojtarë që janë të punësuar në Bashkinë Librazhd.
I vënë në dijeni për këto fakte nga lojtarët vetë, gazetari sportiv i qytetit të Librazhdit, Ledion Qoshku, hulumton në dokumentet dhe faturat e klubit dhe zbulon se me buxhetin e klubit Sopotit paratë janë me ‘bollëk’.
Bashkia prej 4 vitesh akordon afërsisht 12 milionë lekë (të reja) buxhet për ekipin e sportit të Sopotit. Dhe çdo muaj administratori Çota me urdhër titullari akordon 1 milion lekë (të reja) për pagat e lojtarëve dhe dietat në ndeshjet jashtë.
Mirëpo teksa justifikohet tek lojtarët për mungesa parash në buxhet, është vetë Çota që akordon për muajt shkurt plot 1.5 milionë (të reja), për klubin dhe asosacionet e sportit me përshkrimin ‘Transfertë për klubin e sportit Sopot, për muajin shkurt 2023, sipas urdhrit të titullarit nr.148, datë 07.02.2023.
Po ashtu edhe për muajin mars akordon po 1.5 milionë (të rinj), me të njëjtin përshkrim. Pra ndryshe nga muajt e tjerë, për shkurtin dhe marsin e këtij viti, administratori Çota përveç se nuk ka mungesë në buxhet siç u thotë lojtarëve, por edhe e ka rritur fondin mujor me 5 milionë të vjetra më shumë.
Përpos sikletit të panevojshëm me pagat, lojtarët konfirmojnë se me të njëjtin justifikim, pra të mungesës së buxhetit, në dy transfertat e fundit jashtë që ekipi ka zhvilluar, ata nuk i kanë marrë dietat e parashikuara për ndeshjet jashtë.
Te klubi Sopotit, në organikë janë 20 lojtarë që paguhen me një pagë mesatare 40 mijë lekë (të reja) në muaj.
Teksa 7 lojtarët e rinj që janë në organikë dhe nuk aktivizohen shpesh në ndeshjet zyrtare nuk paguhen.
Ndaj nuk është e vështirë të bësh kalkulimin mes rrogës mesatare dhe 20 lojtarëve, plus trajnerin për të kuptuar që 15 milionë të vjetra buxhet në muaj dalin dhe teprojnë për një ekip të kategorisë së dytë si Sopoti i Librazhdit.
I kontaktuar nga gazetari Qoshku, administratori Çota shprehet se nuk ka asnjë problem financiar dhe se nuk është e vërtetë që u ka thënë lojtareve se ka probleme financiare. Por se disa lojtarë janë bërë grup me njeri tjetrin dhe duan të sabotojnë dhe hedhin poshtë punën e mirë që Çota ka bërë.
Faktit se pse 2 lojtarë (të cilët punojnë në administratë) nuk i kanë marrë pagat, Çota thotë se ka rënë dakord personalisht me lojtarët për t’i likuiduar muajin tjetër, por se për çfarë arsye, nuk tregohet i qartë.
Ndërsa tekniku Shkëlqim Lleshanaku në një komunikim me gazetarin është shprehur se këto ditë është detyruar të zhvillojë seancat stërvitore pa 5 lojtarë të rëndësishëm në formacion pa marrë ndonjë arsye nga lojtarët.
“Pasi ndodhi kjo çështja e pagave dhe problemeve financiare, lojtarët janë disi të përçarë dhe realisht nuk di se çfarë emri t’i vë kësaj situate. Kam objektiv të fitoj këtë javë përballë Adës dhe po bëj maksimumin me lojtarët që kam në dispozicion”, është shprehur tekniku për gazetarin Qoshku.