Majko lajthit sërish: Votat blihen javën e fundit, jo gjatë Natës së Kadrit

Drejtuesi politik i rilindjes në qarkun e Kukësit, Pandeli Majko reagoi gjatë ditës së sotme pas lajmeve për shitblerje votash në Has nga kandidati i partisë së tij Halit Mulaj.

Majko, duke u munduar që të justifikojë veprimin e njerëzve të Partisë Socialiste, është shprehur se “nuk blihen hasjanët me ‘ilaç’ rrobash”.

“Në Has, natën e shenjtë të Kadrit, aludimet se kandidati i Partisë Socialiste po blinte vota me 21 pako me ushqime, kanë marrë të tatëpjetën! Fantazia nuk ka limit, sa ka media që ju kanë dhuruar sot titullin kryesor”, shkruan Majko në rrjetet sociale.

“‘Profesionistët’ e blerjes së votës e dinë se kjo ndodh javën e fundit të fushatës! Blerja e votës nuk ndodh në një natë fetare! Vota nuk blihet një muaj para datës së zgjedhjeve! Nuk blihen hasjanët për ‘ilaç’ rrobash!

Megjithatë, çdo akuzë ka kuptim edhe kur fyen qëllimin e natës së shenjtë! Për këtë ka një ligj të shkruar! Ai është për cilindo sot edhe nesër! Hasjanët do vendosin me votë! Vetëm përpara!”, shkruan Majko.