Ekselenca drejt largimit/ Kuçana: Studenti me mesatare 9.5 ma shërben kafen çdo mëngjes
As miq e as parti, por përparësi në bazë të parimit meritë-preferencë.
Këtë premtonte kryeministri Rama për studentet ekselentë që kërkojnë të bëhen pjesë e administratës publike në 2019. Por kjo nuk po ndodh!
Ilirjana Kuçana pedagoge, ishte e ftuar këtë mëngjes në 'Kafe Shqeto' ku u shpreh se asnjë nga premtimet e kryeministrit të vitit 2019 nuk është mbajtur, teksa theksoi se studentët e ekselencës nuk punësohen në shtet, madje një nga studentët e saj, diplomuar me mesataren 9.5 i shërben çdo ditë kafen e mëngjesit:
Mendoj që përsa u përket premtimeve të kryeministrit nuk është mbajtur asnjë premtim që ka të bëjë me studentët, me të rinjtë, me arsimin. Ne pamë që në vitin 2019 studentët e gjunjëzuan qeverinë, pati shumë premtime boshe që realisht nuk janë mbajtur. Të rinjtë sot nuk kanë shpresë sepse kanë kuptuar që të zësh një vend në administratën publike duhet të jesh patjetër nipi ose mbesa e dikujt në PS, ose militant partie. Kjo është patjetër kambanë alarmi, të mendosh që në Shqipëri sot ke të rinj dhe të reja të jashtëzakonshme. Nuk është e vërtetë ajo që thotë kryeministri që kjo rini është rinia kafeve, kjo rini kërkon shpresë dhe motivim, dhe mbi të gjitha kërkon siguri si çdo vend evropian ku moshatarët e tyre e kanë vendin e punës të sigurtë kur mbarojnë ciklin e studimeve. Fatkeqësisht më duhet ta them unë kam studenit tim që ka mbaruar me mesatare 9.5 dhe më shërben kafen e mëngjesit çdo ditë, kjo mendoj unë se është e trishtë. Kjo mendoj unë se është një këmbanë alarmi. Nuk ka asnjë student ekselence, të paktën në 11 vite që unë jap mësim, asnjë nga studentët e ekselencës nuk punojnë në administratën publike.