INTERVISTA/ Hasim Çekrezi: Premtoj rrugë brenda 2 vitesh në gjithë Gramshin
"Nga përvoja si pushtetar lokal në Gramsh: Kam gjetur 20 fshatra pa rrugë - e zgjidha problemin e infrakturës; rikonstruktova shkollat e shkatërruara; i bëra shumë fshatra me ujë të pijshëm dhe kanalizime; ndërtova rrugën 8.7 km për zonën e Poroçanit.
"Sot, po thirren punonjës të institucioneve shtetërore e deri të bizneseve që mos e takoni kandidatin. Po kërkojnë lista për të votuar për kandidatin socialist.
"Premtimi im është që brenda 2 viteve, jo vetëm rrugë të kalueshme në çdo fshat, por në të tërë sipërfaqen e territorit të Gramshit. Kjo do të rikthejë shpresën".
"I bëra thirrje kandidatit socialist, por ndërkohë edhe drejtuesit politik zotit Damian Gjknuri, se jam i gatshëm të përballem me ta".
Intervistë me z. Hasim Çekrezi, kandidat i koalicionit “Bashkë fitojmë” për Gramshin, i ftuar sot në emisionin Kafe Shqeto në SYRI TV. Zoti Çekrezi përballet në këtë fushatë me kandidatin e PS, Besian Ajazi.
Kafe Shqeto: Le ta fillojmë me një panoramë të situatës aktuale në Gramsh, z. Çekrezi. Cilat janë çështjet që do të adresonit menjëherë pas 14 majit?
Hasim Çekrezi: Kjo periudhë parazgjedhore më ka dhënë mundësinë të shkel në çdo skaj të Gramshit, në çdo fshat. Kam parë fshatra të shkretuar, fshatra pa rrugë, pa ujë, pa shumë shërbime, pa shërbime shëndetësore, të cilat qeverisjet aktuale, si qendrore dhe lokale, i kanë lënë në harresë të plotë.
E shoh me trishtim këtë lloj situate pasi nga një përvojë e imja si pushtetar lokal në dy mandate nga viti 2003 deri në vitin 2011 dhe në kohën që kam shkuar në drejtim të asaj komune kam gjetur 20 fshatra pa rrugë me një popullsi me mijëra banorë.
Kur jam larguar që andej kam bërë të mundur zgjidhjen e problemit të infrastrukturës, doemos jo të gjithën me asfalt, por të kalueshme në çdo stinë dhe ditë të vitit. Kam gjetur shkolla të shkatërruara dhe kur jam larguar kam rikonstruktuar shtatë shkolla, ndër të to edhe një të mesme. Kam gjetur shumë fshatra pa ujë dhe i kam bërë më ujë të pijshëm. Kam gjetur fshatra pa kanalizime dhe disa prej tyre kam arritur t’i bëj.
Kam gjetur të traumatizuar një zonë të tërë siç është ajo e Poroçanit ku shumë makina mbyteshin në lumin e Holtës dhe kur jam larguar kam ndërtuar një rrugë prej 8.7 km, rrugë ndërkomunale, e cila i ka shërbyer jo vetëm tri fshatrave të komunës Pishaj, por edhe mjaft fshatrave të Zavalinës të qarkut të Elbasanit, Elbasanit dhe gjithë zonës së Poroçanit. Për këto investime që shkonin drejtpërdrejt në shërbim të qytetarëve u ndërprenë pas ardhjes në pushtet të qeveritarëve lokalë dhe qendrorë të PS-së.
Kafe Shqeto: Do donim të ndaleshit te fryma që kanë qytetarët gramshiotë për këto zgjedhje lokale. Cila ka qenë qasja kur kanë mësuar emrin tuaj si kandidat i së djathtës?
Hasim Çekrezi: Ka qenë jo vetëm mbështetja e anëtarëve të PD dhe e forcave të tjera opozitare në Gramsh, por gjykoj se edhe mjaft qytetarë të tjerë socialistë, grupe të ndryshme shoqërore në Gramsh ma kanë kërkuar për shkak të angazhimeve të mia jo vetëm si drejtues, por edhe si këshilltar në Gramsh, kandidim për vlerat e mia. Ndaj këtyre kërkesave të vazhdueshme mora përsipër një sfidë përballë një pushteti që gjatë këtyre viteve ka bërë gjithçka për të mbajtur pushtetin e tij. Ka përdorur fondet, ka përdorur taksat e qytetarëve të vet, vetëm e vetëm për të shtuar rroga punonjësish e militantësh pa bërë asnjë punë. Kështu që duke njohur vlerat e mia, e mora përsipër këtë sfidë, por konstatoj me keqardhje të madhe që të gjithë njerëzit, po përfshij këtu edhe intelektualët, kanë frikë të takojnë kandidatin e opozitës. Kjo është e tmerrshme që të ndodhë sot pas kaq e kaq vitesh demokraci.
Kafe Shqeto: Pse ndodh kjo?
Hasim Çekrezi: Kjo po ndodh se thirren mësues, infermierë, punonjës të institucioneve të tjera shtetërore por edhe deri në biznese private që mos e takoni kandidatin; kërkojnë me çdo kusht nëse s’votoni, kërkojnë lista për të votuar për kandidatin socialist.
Kafe Shqeto: Çfarë impakti mendoni se do të kenë këto metoda parapolitike? Në qytete të tjera kanë shpërthyer pakot me logot e Rezervave të Shtetit për blerje votash.
Hasim Çekrezi: Edhe këtu është e njëejta situatë, edhe këtu ka pako me ushqime. Kanë filluar “zhavorimet”, dherat elektorale, deri tek asfaltet që vijnë nga Gramshi siç kanë bërë edhe shumë herë të tjera në zgjedhje, vetëm e vetëm për t’u marrë votën. Blerja e votës është problem i madh, kemi angazhuar njerëzit tanë për ta konkretizuar dhe evidentuar këtë lloj situate. Gjithsesi unë jam i bindur që në këto zgjedhje jo vetëm që do të arrijmë të fitojmë, pavarësisht presionit të madh, por do të marrim fitore bindëse në Gramsh.
Kafe Shqeto: Pas kësaj që ju thatë, nuk e shikoni të vështirë garën përballë rivalit tuaj?
Hasim Çekrezi: Unë do të isha mirë me një njeri, i cili do të kishte dhënë kontribute së paku te forca politike kundërshtare. Përballë kam një ish-deputet, i cili vetëm ka lindur në Gramsh, është rritur në Tiranë. La mandatin e deputetit dhe iu rikthye Gramshit, s’e di përse por …Retorika e tyre kundër meje është vetëm se ësjtë “pinjoll i Sali Berishës dhe i Ilir Metës” dhe asgjë tjetër. Nuk përballen dot me mua me punët, me angazhimet e mia, me kontributet e mia.
Kafe Shqeto: Qytete dhe territore si Gramshi kanë një panoramë braktisjeje. A mendoni se një ndryshim pas 14 majit do të rikthejë gjallërinë në to?
Hasim Çekrezi: Sot Gramshi vuan për shumë gjëra, por braktisja më e madhe ka ardhur për shkak të mungesë së rrugëve. Është për të ardhur keq që më shumë se gjysma e fshatrave nuk ka rrugë të shtruara me zhavorr, se për asfalt as bëhet fjalë fare.
Dhe premtimi im elektoral është që brenda dy viteve jo vetëm që do të kenë rrugë të kalueshme në çdo fshat, por edhe në çdo lagje, shtëpi, në të tërë sipërfaqen e territorit të Gramshit. Kjo do të rikthejë shpresën. Unë kam konstatuar në disa fshatra që janë rikthyer banorë të larguar prej vitesh, kanë rifilluar të ndërtojnë bashkitë e tyre sepse Gramshi ka një panoramë shumë të bukur, ka një klimë shumë të mirë ka vende mjaft të bukura turistike vërtet janë të jetueshme, por jetesën e ka vështirësuar kjo qeverisje socialiste, ia ka vështirësuar mungesa e shërbimeve. Unë do t’ua rikthej shpresën me shërbimet dhe me ndihmën që do të jap në çdo drejtim.
Kafe Shqeto: Një kërkesë e qytetarëve është edhe përballja midis kandidatëve. A keni informacione se do të ndodhë një përballje midis jush dhe kandidatit të mazhorancës për bashkinë e Gramshit?
Hasim Çekrezi:Po, në takimin e prezantimit tim, unë ndër të tjera i bëra thirrje kandidatit përballë, por ndërkohë edhe drejtuesit politik zotit Gjknuri pasi deklaruan në prezantimin e kandidatit të tyre se Hasim Çekrezi nuk ka mbështetjen e qeverisë dhe me një fjalë boshe fare “që Hasim Çekrezi i ka bërë gjëmën Gramshit dhe Shqipërisë”!!! Unë nuk e di se si ishte kjo lloj shprehjeje dhe realisht prita të kishte një reagim të tyre për t’u kërkuar ndjesë së paku atyre që e dëgjuan,sepse Hasim Çekrezi përveç kontributeve të tij qenësishme jo vetëm për Gramshin, por edhe si këshilltar për Gramshin në vitet 2015-2019 ka ndenjur edhe gjatë kohës që s’ka pasur asnjë lloj funksioni, pushteti, i ka ndenjur afër çdo qytetari dhe banori të kësaj zone, për të cilët unë kam respekt të jashtëzakonshëm. Kështu që unë ua bëra sfidën dhe kërkova një ballafaqim në një studio ku të dëshironin ata, me një audiencë socialiste dhe jo demokratësh dhe jam i gatshëm të përballem në çdo kohë me ta.
Kafe Shqeto: Z. Çekrezi, ju përmendët prioritetet siç ishte zhvillimi i turizmit, infrastruktura. Sfida juaj më e madhe për këto zgjedhje cila do të jetë?
Hasim Çekrezi: Sfida ime më e madhe do të jetë infrastruktura, mirë menaxhimi i buxhetit dhe i taksave të qytetarëve dhe zgjidhja e problemeve në kohë e çdo qytetari, pavarësisht bindjeve politike. Këto ua them se kam eksperiencën dhe përvojën time të konsiderueshme por ndërkohë kam dhe përgjegjshmërinë maksimale për t’i qëndruar halleve të çdo qytetari. Një menaxher i mirë, falë përvojë sime, eksperiencës sime, formimit tim arsimor, jam i bindur se do t’i zgjidhë të gjitha problemet që i shqetesojnë banorët e bashkisë së Gramshit./ar.sh/SYRI.NET