Champions League/Luhen sot dy supersfida për të zbuluar ekipet e para gjysmëfinaliste
Do të zbulohen sot dy skuadrat gjysmëfinaliste pasi në orën 21:00 do të startojnë supersfidat e kthimit Napoli-Milan dhe Chelsea-Real Madrid.
Në stadiumin “Maradona” është gjithçka për t’u vendosur të paktën në 90 minutat e fundit ose në kohën shtesë. Milani vjen disi i favorizuar pas fitores minimale 1-0 në “San Siro” në çerekfinalen e parë, megjithatë Napoli ka dhuruar shumë magji këtë sezon dhe do të provojë sërish. Për skuadrën e Spallettit rikthehet Osimhen që ka sjellë gjithashtu më shumë entuziazëm. Të gjithë kanë besim te përmbysja dhe këtë gjë e konfirmoi edhe vetë trajneri Spalletti që megjithatë duhet të bëjë pa dy lojtarë të rëndësishëm siç janë Kim dhe Zambo-Anguissa.
Nga ana tjetër, Milani në dy sfidat e fundit ka arritur ta dominojë Napolin, por kjo duhet të jetë e treta e vërteta pasi është edhe më e rëndësishmja. Edhe në kampin kuqezi besimi se do të shkojnë në gjysmëfinale është i madh . Në “Maradona” spektakli është i garantuar dhe lufta sportive gjithashtu.
Në sfidën tjetër, Real Madridi udhëton më i qetë pas fitores 2-0 të arritur në “Santiago Bernabeu”. Por Chelsea ka treguar gjithmonë se nuk dorëzohet dhe pavarësisht rezultatit do të provojë një përmbysje të madhe. 2 gola nuk janë pak, por nuk janë as shumë dhe “Blutë e Londrës” do të bëjnë gjithçka për të shkuar në gjysmëfinale.
Megjithatë, Reali është specialisti i këtij kompeticioni dhe di shumë mirë si të menaxhojë avantazhin e arritur.
Spektakël i garantuar pritet edhe në këtë përballje me dy ekipe që zhvillojnë futboll shumë të bukur dhe luftojnë deri në sekondën e fundit.