SYRI TV/ Veliaj përdor nxënësit e shkollave për takim elektoral, Marku: Në miting edhe nxënës nga rrethet

Nxënësit e shkollave të mesme në Tiranë por edhe në të gjithë vendin janë detyruar nga mësues dhe drejtoritë e shkollave që të braktisin mësimin dhe të shkojnë për të mbushur Pallatin e Kongreseve në aktivitetin elektoral të Erion Veliajt. Aktiviteti u organizua nga Ministria e Arsimit, ku nxënësit e sjellë edhe nga rrethet u detyruan të bëhen pjesë e fushatës dhe të dëgjonin fjalimet politike të kryebashkiakut të Tiranë.

Nga SYRI TV

Ministria e Arsimit dhe kryebashkiaku i Tiranës kanë nisur të  përdorin nxënësit e shkollave në funksion të  fushatës elektorale.

Ministrja e Arsimit Evis Kushi dhe kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, organizuan një konferencë kombëtare të sportit , e cila në fakt ishte një  takim elektoral i përfaqësueve të mazhorancës, në të cilin ata detyruan  edhe nxënësit e shkollave të bëhen pjesë. 

Një gjë e tillë duket qartë edhe nga planet, e transmetuara nga aktiviteti, ku nxënësit janë marrë nga orët e mësimit për të mbushur  sallën e Pallatit  të Kongreseve për mitingun e  Erion Veliaj. 

Prania e detyruar  e nxënësve në këtë aktivitet u denoncua edhe nga kryetarja e degës numër 2 në Tiranë, Irma Marku, e cila publikoi mesazhet denoncuese  që provojnë se  mësuesit dhe nxënësit nga e gjithë  Shqipëria  kanë bërë mësim me orë të reduktuara dhe janë detyruar të shkojnë në takimin elektoral të Veliajt. 

Disa ditë më parë Komisioni Qendror  i Zgjedhjeve ndaloi transmetimin e 9 aktiviteteve të  Erion Veliajt  me argumentin se shkeli Kodin Zgjedhor duke përdor burime shtetërore, ndërsa kjo masë nuk e ka bërë kryebashkiakun e Tiranës të reflektojë,  pasi ai sërish vijon të përdorë nxënësit e shkollave  në funksion të  qëllimeve elektorale.