SYRI TV/ Pako ushqimore në këmbim të votës në Has?! Denoncon kandidati i opozitës: U kap furgoni me ndihma
Kandidati i opozitës për bashkinë e Hasit, Miftar Dauti kapi një furgon me pako ushqimore, të cilat mbanin logon e Rezervave të Shtetit. Pakot me ushqime, sipas Miftar Dautit, po shpërndaheshin nga dy djemtë e kandidatit të Partisë Socialiste për bashkinë e Hasit, të Halit Mulajt. Ky i fundit në një reagim nuk e mohoi shpërndarjen e pakove me ushqime, por tha se ato po jepeshin për Natë Kadri. Por Halit Mulaj nuk shpjegoi pse pikërisht djemtë e tij po jepnin pako ushqimore dhe pse këto pako mbajnë logon e Rezervave të Shtetit.
Nga SYRI TV
Dalin detaje të reja nga skandali i shpërndarjes së ndihmave në këmbim të votave, denoncuar nga kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për bashkinë e Hasit, Miftar Dauti.
SYRI TV siguroi pamje të cilat tregojnë se pakot me ndihma ushqimore janë me logon e Rezervave të Shtetit.
Deri më tani nuk ka asnjë njoftim nga Policia apo prokuroria që të ketë marrë masa për këtë shkelje ligjore.
Skandali u denoncua nga kandidati i opozitës për bashkinë e Hasit, Miftar Dauti, i cili u shpreh se janë dy djemtë e kandidatit socialist për bashkinë, Halit Mula, të cilët kanë ngarkuar furgonin me pako të dyshimta.
Miftar Dauti kërkoi nga Policia, që të hetojë këtë ngjarje, ku shpërndarja e pakove ushqimore dyshohet se po përdoret për blerje votash.
Për ngjarjen reagoi edhe kandidati socialist i bashkisë, Halit Mulaj. Në në një reagim në rrjetet sociale, Halit Mulaj nuk e mohon shpërndarjen e pakove me ushqime, por shprehet se ato po jepeshin për besimtarët myslimanë në Natën e Kadrit, ndërsa akuzoi kundërshtarin se po e ekzagjeron.
Por, Halit Mulaj, me reagimin e tij, më shumë se sa ka dhënë shpjegime, ka ngritur dyshime.
Së pari, pse duhet të një kryetar bashkie të shpërndajë pako me ushqime për Natën e Kadrit dhe pse kjo bëhet natën?
Së dyti, pse duhet që këto pako me ushqime të shpërndahen nga djemtë e kandidatit për kryetar bashkie?
Dhe ajo që është më kryesorja, Halit Mulaj harron të shpjegojë se pse pakot me ushqime, mbajnë logon e Rezervave të Shtetit?!