Duka: Kemi bërë përparime në sport, por ende kemi shumë punë
Për Presidentin e Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Dukën, Konferenca Kombëtare “Arritjet dhe Sfidat e Sportit në Shqipëri” duhet të shërbejë jo vetëm për të vënë në dukje çfarë është arrirë, por edhe çfarë ka mbetur ende për t’u bërë për të përmirësuar çdo aspekt të sportit në vendin tonë.
“Kjo konferencë është pa diskutim shumë e rëndësishme për sportin dhe njerëzit e tij, jo veç për të bërë paradën e arritjeve, që pa diskutim duhen pasqyruar e evidentuar sepse pasqyrimi drejt i arritjeve e sukseseve na ndihmon shumë për edukimin e një shoqërie sportive, por në të njëjtën kohë për të reflektuar ndaj gjërave nuk kemi bërë mirë apo s’kemi pasur ritmin e duhur”, u shpreh kreu i FSHF-së në fjalën e mbajtur në këtë konferencë.
Më tej referuar “EuroBarometrit” Duka theksoi se shifrat e personave që merren me sport në vendin tonë janë shumë të ulëta.
“Sot që flasim, sipas të dhënave të EuroBarometrit, në Bashkimin Europian mesatarja europiane e njerëzve që merren me sport është 40%. Në Shqipëri vetëm 3-4% e popullsisë ushtron sport. Janë shifra alarmante qe kërkojnë ndërhyrje dhe veprime konkrete”, theksoi presidenti i FSHF-së.