U ankua për fushën dhe diellin, trajneri i Getafes tallet me Xavin: Skuadra ‘Nivea’ apo e Kremit të Plazhit?

Deklaratat e trajnerit të Barcelonës, Xavi Hernandez, në fund të ndeshjes që skuadra e tij barazoi pa gola në “Coliseum” kundër Getafes janë pritur me humor në Madrid.

Trajneri i katalanasve u ankua për terrenin e thatë të lojës. Por ai nuk u mjaftua me kaq.

Një tjetër argument i tij që tërhoqi vëmendje të veçantë, për shkak se dukej i pazakontë, ishte fakti se Xavi deklaroi se “Barça nuk është mësuar të luajë në diell”.

Një deklaratë të tillë të Xavit e ka shfrytëzuar Getafe për t’u tallur me trajnerin”blaugrana” në llogarinë e tij në “Twitter”.

Në rrjetin social në fjalë, skuadra e Getafes ka postuar një mesazh në të cilin shihet trajneri i tyre, Kike Sançez Flores, duke zbritur nga autobusi i ekipit dhe një pyetje: “Nga cili ekip jeni? Skuadra ‘Nivea’ apo Skuadra e Kremit të Plazhit?”, duke iu referuar pikërisht deklaratës së Xavit.