Çelja e fushatës te 'Air Albania', Ilda Dhori: U ndjeva mirë kur pashë të gjithë demokratët aty
Deputetja e PD, Ilda Dhori, të shtunën ishte në shkallët e "Air Albania" ku u zhvillua mitingu madhështor që shënoi çeljen e fushatës elektorale për koalicionin "Bashkë Fitojmë".
Në "Çim Peka Live", Dhori u shpreh se u ndje mirë në mesin e demokratëve.
Ajo tha qëllimi madhor i kësaj beteje është është kundër regjimit që sipas saj përfaqëson PS-ja.
"U ndjeva mirë kur pashë të gjithë demokratët që ishin aty. Kjo është një betejë që në fund të fundit ka realizuar një qëllim madhor, ka bashkuar forcat opozitare kundër regjimit të PS, kundër kryetarëve aktualë të bashkive të cilët janë të emëruar dhe jo të zgjedhur me votë nga qytetarët", u shpreh Dhori.
Ajo theksoi se ka mbështetur që në fillim daljen e opozitës me një kandidaturë në këto zgjedhje.
"Anëtarësia e degës së Divjakës ka qenë e ndarë në krye të herës, në 11 dhjetor. Pas primareve, pas zgjedhjes së kryetarëve të degëve sërish ka patur një boshllëk dhe kam qenë e detyruar të respektoj edhe këtë grup që ka një lloj peshe të konsiderueshme në zonë. Të gjitha qëndrimet dhe veprimet e mia ka qenë për të përfaqësuar shumicën. Kam qenë e para që kam marrë pjesë në mbledhjen e anëtarësisë së PD në momentin kur janë hedhur kandidaturat për kryetarët e degëve. Kam qenë kandidate edhe unë, por jam tërhequr".