Lotito komenton aksidentin e Immobile: Menjëherë mora masa, ne jemi me të
Mëngjesin e ditës së diel, Italia mësoi se sulmuesi Ciro Immobile ishte përfshirë në një aksident automobilistik. Sulmuesi i Lazio teksa ishte brenda në makinën e tij, është përplasur nga tramvaji që raportohet se ka kaluar me semafor të kuq.
Pas kësaj ngjarjeje të bujshme që ka ndodhur, presidenti i Lazios Claudio Lotito, ka komentuar në faqen zyrtare të klubit aksidentin e lojtarit të tij.
“Menjëherë kam marrë masa sapo mësova aksidentin e Immobile dhe vajzave të tij. Ciro është pjesë e familjes sonë dhe ai është një kampion me të cilin jam lidhur veçanërisht edhe nga pikëpamja njerëzore.
Ne jemi me të, shpresojmë që ai të kthehet shpejt. Do të bëjmë gjithçka që t’i japim një qetësi maksimale për të menduar shëndetin e tij dhe të vajzave të tij.” – tha Lotito.