VIDEO-SYRI TV/ Emigracioni dhe çmimet tkurrin konsumin, tregtarët: Ka rënë ndjeshëm fuqia blerëse
Raporti më i fundit i INSTAT tregon për rënie të ndjeshme të tregtisë kryesisht në mallrat e konsumit dhe importit të produkteve ushqimore. Kjo situatë ka futur në krizë tregtarët përball rritjes së shpenzimeve, ndërsa qytetarët shprehen se për shkak të rritjes së madhe të çmimeve kanë përgjysmuar blerjet dhe ushqimin.
Nga SYRI TV
INSTAT evidentoi në raportin e fundit, rënie të ndjeshme të tregtisë dhe importit të mallrave të konsumit. Sipas raportit, shkak për rënie të konsumit janë kryesisht largimet masive por edhe rritja e ndjeshme e çmimeve. Por teksa shifrat po tregojnë nga muaji në muaj rënie, qytetarët shprehen se po konsumojnë më pak, për shkak të pamundësisë për të përballur çmimet.
Kjo situatë ka zhytur në krizë edhe tregtarët, të cilët shprehen se xhiroja ka ardhur në rënie duke u detyruar të marrin më pak furnizime.
Rënia e konsumit në vend ka prekur të ardhurat që mblidhen nga tatimi mbi vlerën e shtuar. Në muajin shkurt arkëtimet nga TVSH-ja arritën ne 13.5 miliardë lekë, me rënie prej 6.7% me bazë vjetore.
Por jo vetëm mallrat e konsumit, rënie të ndjeshme kanë pësuar edhe importi i karburanteve apo I kafesë, një tregues i frenimit të konsumit në bare e restorante. Për dy mujorin e parë të këtij viti, importet e kafesë ishin rreth 1 mijë ton, me një tkurrje prej 28.5% me bazë vjetore. Ky është niveli më i ulët që nga viti 2014.