Luçiano Boçi, një premtim për familjet në mjerim të Elbasanit
Luçiano Boçi, kandidati i koalicionit "bashkë Fitojmë" në Elbasan ka bërë një zotim publik sot për familjet më të varfra të qytetit, pasi vizitoi njërën prej tyre.
"Skamja në familjen Hasani tregon sa pa mbështetje kanë qenë këta njerëz - shkroi ai në Fb. - Veç bujarisë së Haxhiut, asgjë në hapësirën ku jetonin ai dhe 6 pjesëtarë të familjes së tij nuk ngjallte shpresë. Papunësi, varfëri, pamundësi për një jetë dinjitoze. E vetmja e ardhur ishte një ndihmë ekonomike.
Bashkia për këtë familje s;ka qenë kurrë prezente as si institucion as si dorë e shtrirë për mbështetje. Dimri për të gjithë pjesëtarët e familjes ka qenë një ferr, ku çdo gjë që pikonte jashtë hynte brenda.
I premtova Haxhiut, se pas 14 majit ai dhe kushdo që është në ndihmë ekonomike do të ketë mundësi të punojë në të gjitha hapësirat e lira që janë, duke mos u shkëputur nga ndihma ekonomike në 6 muajt e parë të punësimit", nënvizoi Luçiano Boçi.