Sami Neza: Ja pse Rama ka zgjedhur të mos promovojë me postera kandidatët e tij

Analisti Sami Neza ishte i ftuar në ‘Kafe Shqeto’ në Syri Tv, ku foli në lidhje me ndryshimit të taktikës së fushatës elektorale nga kryeministri.

Pyetur nga moderatori Flavio Qarri, se a do jetë kjo hera e fundit qe përdoret slogani ‘fajin e ka Saliu’, Neza ju përgjigj:

Deklarata e para dy ditëve që bëri Rama në lidhje me ndryshimet  e taktikës së fushatës elektorale përgjatë këtij procesi natyrisht nuk është e parrëzueshme, pra Rama edhe mund ta rrëzoje deklaratën e tij. E bëri këtë punë gjatë ditës së djeshme ndërkohë që ka mbjellur 'bill bordet' në gjithë Tiranën me atë që ai e quan ndotje vizuale. Pra për sa kohë atij i intereson një instrument, pra konstaton se një instrument elektoral mund ta ndihmojë atë për të marrë një votë më shumë, ai do ta përdorë atë pavarësisht deklaratave. Pastaj në lidhje me raportin me publiku, me raportin e mbajtjes së fjalës apo qëndrimit të deklaratave, ky është një problem që Rama e ka zgjidhur shumë kohë më parë duke mos i mbajtur asnjëherë, kështu që është brenda prototipit të tij qoftë politik por qoftë dhe psikologjik.

Ndërsa pyetjes se pse në këtë fushatë ka munguar transparenca e imazheve për kryetar minibashkie, ku madje kanë munguar posterat edhe për disa kandidatë bashkie, Neza u përgjigj se kjo fshehje e imazheve ka lidhje dhe me SPAK, por jo vetëm.

Unë mendoj se ka dy çështje që lidhen me këtë model të prezantimit , së pari ka të bëjë me faktin që nuk e përjashtoj problemin e SPAK, se vetë KQZ ka çuar për kërkim të thellë të paktën pesë kandidatura të PS. Ndërkohë që vetë PS ka një histori të pasur penale me kryebashkiakët e vet gjatë dy zgjedhjeve të fundit.

Së dyti mendoj se Rama e ka këtë problem me biografinë e tyre që lidhet edhe me mënyrën e qeverisjes lokale nga drejtuesit socialistë dhe ndërkohë mendon dhe ka ndërtuar strategjinë bazuar në të dhënat që promovimi i tyre nuk do sjellë shumë vota dhe i vetmi aset të jetë kryeministri i cili do të bëjë fushatë për të sjellë vota për PS dhe qeverinë, që në fund lexohen si vota për Këshilla Bashkiakë apo për kryetar të Bashkive.