Nuk ka më fshehje, bankat private duhet të tregojnë se ku i kanë çuar paratë

Bankat private do të raportojnë me detyrim çdo transfertë që kryhet nga Shqipëria drejt parajsave fiskale, apo vendeve të tjera që konsiderohen me risk të lartë për pastrim parash si Zvicra, Qipro apo republikat e Amerikës Latine.

Banka e Shqipërisë ka miratuar një rregullore të re, e cila forcon ndjeshëm rregullat kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.

Aktualisht ligji i detyron bankat të raportojnë vetëm transfertat në hyrje nga vendet e rrezikuara. Por me rregulloren e re ato do të raportojnë edhe transfertat që nisen nga Shqipëria drejt parajsave fiskale, përmes të cilave grupe kriminale apo individë që kanë të ardhura të jashtëligjshme mund të tentojnë pastrimin e tyre.

Por ky nuk është ndryshimi i vetëm. Një tjetër kërkesë shtesë është ajo për monitorimin e klientëve. Aktualisht bankat e verifikojnë një klient vetëm në momentin e parë, kur ai paraqitet për të kryer veprimin e parë në bankë.

Nëse nga verifikimi paraprak klienti nuk rezulton i dyshimtë, atëherë ai klasifikohet pa risk dhe nuk kontrollohet më në transaksionet që kryen më pas. Por me rregulloren e re bankat do të kenë detyrimin të monitorojnë transaksionet e një klienti, edhe pse në momentin e parë ai është klasifikuar si pa risk.