SYRI TV/ Mashtrimi i hapur i Ramës me posterat dhe ‘gjuhën e urrejtjes’
Një ditë pas çeljes zyrtare të fushatës elektorale, kryeministri Edi Rama ka treguar se premtimet e tij, për të mos vendosur postera dhe banera elektoralë, kanë qenë një mashtrim. Në çdo rrugë të kryeqytetit janë vendosur banera me foton e kryeministrit dhe dy kundërshtarëve politikë, pavarësisht se Edi Rama deklaroi se kjo fushatë do fokusohej te mbjellja e pemëve dhe jo te nxitja e urrejtjes ndaj kundërshtarëve politikë
SYRI TV
Premtimet e kryeministrit Rama se fushata e tij do ishte modeste, fondet do të shkonin për mbjelljen e pemëve dhe jo për postera elektoralë, kanë rezultuar mashtrim. Shefi i qeverise sërish ka rënë pre e fjalëve të tij, duke bërë si gjithmonë, të kundërtën e premtimeve apo zotimeve që jep.
Në nisje të fushatës zgjedhore, Rama porositi të gjithë kandidatët për kryebashkiakë, të mos ndotin qytetet me postera, por vetë e ka mbushur kryeqytetin me banerat e tij, nën sloganin e kësaj fushate: Kurrë mbrapa, vetëm përpara.
Tirana u zgjua këtë të diel, me posterat e kryeministrit Edi Rama, në billborde dhe në të gjitha stacionet e autobusëve, me foton e kryeministrit, i cili ashtu si në vitit 2021, fushatën zgjedhore po e bën duke përdorur fotografi të kampit kundërshtar. Kështu, në gjithë Tiranën, janë vendosur posterat elektorale, me foton e kryeministrit Rama dhe dy kundërshtarëve te tij polikë, kreu i PD-së, Sali Berisha dhe kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta.
Si në çdo fushatë elektorale, Rama edhe këtë pranverë zgjedhjesh, e ka bazuar gjithë fushatën e tij, jo mbi arritjet e qeverisë së tij apo premtimet, por te sulmi ndaj kundërshtarëve politikë.
Kryeministri, i cili ishte zotuar se përgjatë fushate, do të mbillte vetëm pemë, ka mbjellë kudo nëpër qytetet posterat e tij dhe nxitjen e gjuhës së urrejtjes ndaj kundërshtarëve.
Po kështu bie ne sy fakti se Edi Rama po e personalizon fushatën për të mbuluar cilësinë e dobët të kandidatëve të tij, pjesa dërrmuese e të cilëve rikandidojnë dhe janë subjekte hetimi nga SPAK, ndryshe nga kandidatët e kampit opozitar, të cilët dolën nga procesi i primareve.