Skena të tmerrshme nga Sudani: Lufta shpërtheu në rrugë, 100 njerëz u vranë, përfshirë punonjës të OKB-së
Konfliktet në Sudan po vazhdon për të tretën ditë. As ushtria dhe as forcat paraushtarake të gjeneralit Mohamed Daghl nuk po arrijnë fitoren, pavarësisht luftimeve në të cilat vdiqën pothuajse njëqind njerëz, duke përfshirë tre punonjës të OKB-së. Të dy palët njoftuan dje se pranojnë kërkesën e OKB-së për një “pauzë humanitare” tre orëshe për të lejuar evakuimin e të lënduarve, por për momentin nuk dihet se si e kanë respektuar saktësisht armëpushimin e rënë dakord, shkruan BBC.
Mjekët paralajmëruan se situata në spitalet në Khartoum është jashtëzakonisht e vështirë dhe se për shkak të konfliktit, punonjësit e shërbimit shëndetsore kanë vështirësi në qasjen ndaj të plagosurve. Sipas sindikatës së mjekëve, deri më tani janë vrarë pothuajse 100 persona dhe janë plagosur mbi 1000.
“Kemi frikë, 24 orë nuk kemi fjetur nga zhurma”. Jemi të shqetësuar se do të na mbarojnë uji dhe ushqimi, si dhe ilaçet për babain tim diabetik”, tha Huda, një banore e Khartoum, për agjencinë e lajmeve Reuters.
Programi Botëror i Ushqimit i OKB-së (WFP) ka pezulluar ndihmën për Sudanin pasi tre nga punëtorët e saj u vranë në luftimet në Darfur. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres bëri thirrje që përgjegjësit "të sillen para drejtësisë sa më shpejt të jetë e mundur".
Konflikti po zien prej javësh dhe po pengon çdo zgjidhje politike në vendin, një nga më të varfërit në botë. Pas kryengritjes popullore që rrëzoi Omar al-Bashir në vitin 2019, Sudani po përpiqet të organizojë zgjedhjet e para të lira pas 30 vitesh diktaturë.
Në grushtin e shtetit që i dha fund tranzicionit demokratik në tetor 2021, gjenerali Burhan dhe gjenerali Daglo, i njohur si Hemedti, bashkuan forcat për të rrëzuar civilët nga pushteti. Megjithatë, të shtunën, rivaliteti i tyre u kthye në një konflikt të hapur.
Përplasjet shpërthyen në një luftë të dukshme për pushtet midis dy fraksioneve kryesore të regjimit ushtarak sudanez. Forcat e armatosura të Sudanit janë kryesisht besnike ndaj gjeneralit Abdulfattah al-Burhan, sundimtarit de fakto të vendit, ndërsa Forcat e Mbështetjes së Shpejtë (RSF), një forcë paraushtarake, ndjekin ish-komandantin e luftës, gjeneralin Mohamed Hamdan Dagal, i njohur si Hemedti.
Lufta për pushtet i ka rrënjët në vitet para kryengritjes së 2019-ës që rrëzoi diktatorin Omar al-Bashir, i cili ndërtoi forca të fuqishme sigurie dhe i vuri qëllimisht ato kundër njëri-tjetrit.